Kryenegociatorja me BE, Majlinda Dhuka mbajti fjalën e saj në Kongresin e Partisë Socialiste, ku theksoi se qëllimi mbetet anëtarësimi i vendit në BE brenda vitit 2030.
“Qëllimi ynë është të përmbushim të gjitha kushtet për anëtarësim dhe Shqipëria në 2030 të ulet si e barabartë në tryezën e përbashkët evropiane. Të gjithë po punojmë për këtë qëllim. PS do t’ia dalë kësaj sfide të madhe historike. Shqipëria arriti të çelë negociatat me BE, falë progresit dhe reformave të rëndësishme”, tha ajo.
Ajo theksoi sfidat që duhen tejkaluar e për të cilat po punohet, ku theksin e vuri tek lufta ndaj korrupsionit si dhe thellimin e reformave.
“Agjenda kombëtare parasheh thellimin e mëtejshëm të reformave. Rrugëtimi është i qartë, së pari nevojitet të forcojmë sundimin e ligjit dhe thellojmë progresin e reformës në drejtësi, të rrisim cilësinë e institucioneve të drejtësisë. Së dyti, nevojitet të thellojmë modernizimin e qeverisjes dhe transformimin e administratës tonë publike”, shtoi ajo.
Ka nisur sot në orën 11.00 Kongresi i Partisë Socialiste. Ky është një Kongres Zgjedhor nga i cili do të dalë Asambleja e re e më pas të gjitha strukturat e tjera të Partisë Socialiste duke i dhënë kështu formën përfundimtare ekipit me të cilin Edi Rama do të luftojë për të fituar një mandat të 4 në krye të vendit./vizionplus.tv