Konstituohet komisioni “Xhafaj”, reforma pa opozitën për mirëqeverisjen, sundimin e ligjit dhe antikorrupsionin

5 months ago 21

Nga Enkelejda Mema 

Të bojkotuar nga opozita, socialistët u mblodhën në sallën e byrosë për të konstituar të vetëm komisionin e posaçëm parlamentar që synon të çojë një hap para luftën kundër korrupsionit. Njëjtë me reformën në drejtësi, edhe ky angazhim i dytë i qeverisë për luftuar korrupsionin shtetëror do të udhëhiqet nga Fatmir Xhafaj.

Tre shtyllat në të cilat pritet të bëhen ndryshime ligjore pas një analize të imët të të gjitha raporteve vendase dhe ndërkombëtare janë mirëqeverisja, antikorrupsioni dhe sundimi i ligjit.

“Përgjegjësia jonë ështe e qartë, të adresojmë disa sfida të rëndësishme. Çështje që shkojnë përtej interest të partive tona, në interes të qytetarëve dhe në funksion të integrimit të vendit, synimit për ta pasur Shqipërinë anëtare me të drejta të plotë në Bashkimin Evropian”, tha Xhafaj.

Pjesëmarrjen e Partisë Demokratike që vendet i la bosh Fatmir Xhafaj e vlerësoi si një vendim me pasoja politike dhe elektorale për të.

“Kur filloi veprimin, në 2014 komisioni i posaçëm për reformën në drejtësi, opozita edhe atëherë nuk mori pjesë në mbledhjen e parë për konstituimin dhe në disa mbledhje në vazhdim. Reflektuan me vonesë dhe u përfshinë më pas në komision. Koha tregoi që kogehët tanë të opozitës gabuan atëherë dhe kjo i kushtoi shumë politikisht dhe elektoralisht. Shpresoj shumë që kjo histori mos  të përsëritet dhe shumë shpejt ta kemi opozitën mes nesh”, tha Xhafaj.  

Për dyshimet e artikuluara nga opozita se nisma e qeverisë për një erë të re në përballjen me korrupsionin ka qëllim të fshehur ngushtimin e fushëveprimit të SPAK,  kryetari socialist i komisionit kishte këtë përgjigje.

“Vendimet e para do t’i japin përgjigje edhe të gjithë atyre që kanë spekuluar deri me tani, me apo pa qëllim, me dashje apo padashje lidhur me qëllimin e këtij komisioni”, tha Xhafaj.

Me konstituimin e “antikorrupsionit” faza e dytë është ngritja e grupeve të ekspertëve.

Ata do të jenë tre dhe secili do të përgatisë ekspertizën dhe gjithë bazën për ndryshime të mundshme ligjore për secilën nga fushat, të mirëqeverisjes, sundimit të ligjit dhe  antikorrupsionit.

Dhe kur flasim për ndryshime ligjore Fatmir Xhafaj siguron se ky komision nuk ka objekt të punës së tij ndërhyrjet në kushtetutë  dhe organet e drejtësisë.

Read Entire Article