Kontrollet intensive me dron në kuadër të operacionit “Territor i Pastër” kanë zbuluar tre parcela me kanabis në Klos.
Policia asgjësoi 1050 bimë dhe fidanë kanabis sativa dhe vuri në pranga autorin e dyshuar, i cili u kap në flagrancë duke u kujdesur për bimët narkotike.
Gjithashtu nisi procedimi penal për kryeplakun e fshatit Klos dhe specialistin e pyjeve për zonën Fan, për shpërdorim detyre.
Siç bën me dije policia, u arrestua shtetasi A. F., 28 vjeç, lindur dhe banues në fshatin Klos, Njësia Administrative Fan, Bashkia Mirdita, i dyshuar për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”.
I riu dyshohet se në hapësirën e pyllit mbi banesën e tij, kishte kultivuar në 3 parcela të ndryshme, 1050 bimë dhe fidanë kanabis. Gjatë operacionit, ky shtetas u kap në njërën nga parcelat duke u kujdesur për bimët narkotike.
Ndërsa hetimet nisën për shtetasin Sh. M., me detyrë specialist pyjesh në zonën Fan dhe K. M., me detyrë kryeplak i fshatit Klos. Këta shtetas dyshohen se nuk kanë kryer detyrat e tyre funksionale, në zonën që mbulonin.