Krijoi grup kriminal për të vrarë Xhevdet Plakun, SPAK kërkon 5 vite burg për Rexhep Rapin

1 week ago 17
Reklamë

SPAK ka dhënë pretencën, në lidhje me Rexhep Rapin, i cili krijoi një grup të strukturuar kriminal me qëllim vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku.

Prokuroria e Posaçme ka kërkuar dënimin me 5 vite heqje lirie për Rapin, ndërsa sa i përket pjesëtarëve të tjerë, kërkoi 4.8 vite heqje lirie për Algert Rapin, dhe 4.8 vite burg për Dedan Gjoni ish-shefin e krimeve në komisariatin nr 6 dhe Dejvi Gjermenin.

Këta shtetas akuzohen për kryerjen e veprave penale “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, në dëm të shtetasit Xhevdet Kiss (Plaku), kryer në bashkëpunimin e posaçëm të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”.

Ky hetim i SPAK nisi mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë.

Ky procedim është regjistruar mbi bazën e informacionit të përcjellë nga Prokuroria e Rrethit Limburg, Holandë. Nga hetimet është provuar se i pandehuri Rexhep Rapi, dhe shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), kanë një konflikt për shkak se, në vitin 2000 në qytetin e Savona-s të Italisë, është vrarë me armë zjarri shtetasi Sali Rapi (i datëlindjes 21.05.1968, lindur në Durrës), i cili rezulton të jetë familjar i shtetasit Rexhep Rapi. Vrasja e shtetasit shqiptar Sali Rapi, u dyshua se është kryer nga shtetasi Xhevdet Plaku dhe shtetasi B.P., të cilët dhe janë arrestuar në lidhje me këtë ngjarje. Në datën 04.04.2014, shtetasi Xhevdet Kiss (Plaku), është shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Savona-s, Itali.

Në shenjë hakmarrje të vrasjes së shtetasit Sali Rapi, i pandehuri Rexhep Rapi është organizuar në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, me qëllim vrasjen e shtetasit Xhevdet Plaku. Krijuesi i grupit të strukturuar rezulton, se është i pandehuri Rexhep Rapi, i cili për shkak të dështimit në tre raste të mëparshme për të vrarë shtetasin Xhevdet Kiss (Plaku), konkretisht dy herë në Durrës dhe një herë në Tiranë, për shkak të hasmërisë, ka krijuar këtë grup me qëllim vrasjen e Xhevdet Kiss (Plaku), ku në përbërje (pjesëmarrës në grup) kanë qenë lidhje familjare Algert Rapi (nipi i tij), Dejvi Gjermëni, Dedan Gjoni dhe i ndjeri Fatjon Dervishi (Toqe/Tole) (për të cilin nuk mund të fillohet procedim penal, pasi është vrarë pas një atentati me armë zjarri më datë 27.09.2023, në Sukth, Durrës).

Read Entire Article