Monumentet kulturore ne qytetin bregdetar të Durrësit vijojnë të mbeten pika atraksioni për turistët. Një prej tyre është Kulla Veneciane, monument i kategorisë së parë, që pas restaurimit i është kthyer identitetit të mëparshëm.
Ina Ajazi, specialiste e Qendrës Muzeore Durrës, tregon se që nga janari afro 8500 turistë vendas dhe të huaj kanë vizituar kullën, duke u njohur edhe me historinë e lashtë të qytetit nëpërmjet një turi virtual.
Turistë të ardhur nga vende të ndryshme të botës e që gjenden në Durrës tregojnë përshtypjet që u ka lënë qyteti i Durrësit.
“Vijmë për herë të parë në Shqipëri. Donim të shihnim diçka të re, ju jeni në Europë dhe tani Shqipëria është një vend i hapur, me njerëz modernë”, thotë një turiste sllovene.
“Është dita e parë në Durrës jemi nga Italia, na pëlqen bregdeti. kemi ardhur një grup shoqëror, do rrimë një javë. Po ashtu kemi planifikuar të bëjmë një tur në disa qytete të Shqipërisë”, shprehet një italiane.
“Vij për vitin e dytë radhazi dhe më pëlqen plazhi shumë. Më pëlqen qyteti i Durrësit, kam qenë edhe në Sazan. Më pëlqen historia e Durrësit, historia e lashtë e tij dhe kjo kulla këtu. Do rrimë 10 ditë gjithsej”, thotë një tjetër nga Norvegjia.
“Ne vendosëm të vizitojmë Durrësin sepse është një qytet i vogël, i këndshëm, dhe njerëzit janë shumë miqësorë. kishim dëgjuar për Durrësin nga njerëz të tjerë që banojnë në Tiranë. Kemi 8 muaj këtu dhe mendojmë të rrimë besoj edhe një vit. Është një eksperiencë shumë e mirë për ne kjo gjë. Kemi ardhur nga shtetet e bashkuara te Amerikës, nga Teksasi”, shprehet një çift amerikan.
Kulla Veneciane së bashku me amfiteatrin antik janë dy nga monumentet më të vizituar gjë këtij viti, pasi muzeu arkeologjik dhe ai etnografik i janë nënshtruar procesit të rikonstruksionit. /vizionplus.tv