Lajm i mirë! Gati vendimi për 4.1 % indeksim të pensioneve! Rritje deri në 750 lekë në muaj, këto janë kategoritë që përfitojnë

1 day ago 18
Reklamë

Vendimi është marrë tashmë, pensionet do të indeksohen me vetëm 4.1 për qind në muajin tetor. Këshilli Administrativ i Institutit të Sigurimeve Shoqërore ka miratuar masën e indeksimit duke e nisur për miratim edhe në qeveri.

Sipas Ministrisë së Ekonomisë, inflacioni për mallrat e shportës për pensionistët nga viti 2023 deri më tani ka rezultuar 4.1% dhe për pasojë indeksimi do të jetë në të njëjtën masë. Vitin e kaluar, indeksimi i pensioneve ishte në masën 8.6 për qind.

PERFITUESIT

Nuk janë vetëm pensionet e pleqërisë, ata që do të përfitojnë nga indeksimi, por të gjithë qytetarët që trajtohen me pension. Qoftë pensionet suplementare, pensionet e ish-minatorëve, ish-metalurgëve e të tjerë. Pra, në total përllogariten më shumë se 791 mijë përfitues të kategorive të pensioneve, të cilët do të marrin shtesë nga indeksimi, që do të bëhet në muajin tetor dhe i nis efektet nga data 1. Fondi për indeksimin e pensioneve për këtë vit është 4 miliardë e 137 milionë lekë dhe vetëm në këto tre muaj tetor, nëntor e dhjetor, hifra kalon vlerën e 1.6 miliardëve.

Me këtë indeksim, pensionet urbane të pleqërisë rriten me afro 752 lekë, nëse marrim si referencë vlerën mesatare të kësaj kategorie që në fund të 2023-shit ishte 18.341 lekë. Ndërsa për pensionet rurale, shtesa është 453 lekë, pasi pensioni mesatar rural është 11,051 lekë. Ndërsa vitin e kaluar pensionet u indeksuan me 8.6% aq sa ishte Indeksi i Çmimeve të Konsumit të shportës së mallrave dhe shërbimeve për pensionistët nga gushti i 2022-gusht 2023. Brenda muajit të ardhshëm detaje të reja pritet të publikohen edhe për skemën e re të pensioneve, ku synohet të ketë rritje të diferencuar të pensioneve.

Në fokus të reformës së re do të jenë pensionet rurale dhe ato të pjesshme, që do të kenë një rritje të konsiderueshme dhe më pas do analizohen pensionet e tjera, që konsiderohen të larta. Rishikimi i saj pritet të prekë thuajse të gjitha elementet e skemës, nga vlera mujore, mënyra e indeksimit të tyre, diferenca mes pensioneve urbane dhe rurale, vitet e punës e deri tek vlera e kontributeve që paguhet gjatë viteve të punës.

INDEKSIMI

Indeksimi i pensioneve ka për qëllim të mbajë në nivel real masën e pensioneve dhe përfitimeve të tjera sociale, duke i përshtatur me efektet e rritjes së indeksit të çmimeve të mallrave të konsumit për shportën e pensionistëve.

Këtë vit është vendosur të indeksohen në masë 4.1 për qind pensionet e plota, pensionet e pjesshme, pensionet e reduktuara dhe pensionet e parakohshme të pleqërisë, pensionet e invaliditetit, pensionet familjare dhe për vjetërsi shërbimi, bazuar në përllogaritjen zyrtare të INSTAT, që është institucioni përgjegjës për deklarimin e indeksit të çmimeve të shportës së mallrave e shërbimeve për pensionistët.

Read Entire Article