Lufta ndaj ekstremizmit të dhunshëm, Balla: Mekanizmat e parandalimit të akteve terroriste kanë dhënë efekt

5 months ago 17

Praktika shqiptare për të luftuar ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin fetar është efektive. Kështu deklaroi ministri i Brendshëm, Taulant Balla në një prezantim të mekanizmave kombëtarë që parandalojnë aktet terroriste.

“Në kuadër të përpjekjeve tona të vazhduara, që nga krijimi i Qendrës së Koordinimit kundër Ekstremizmit të Dhunshëm (Qendrës CVE), numërohen rreth 15 mijë specialistë të vijës së parë, që janë pjesë e Rrjetit të sigurisë së P/CVE, me kontribut aktiv në identifikimin, sinjalizimin dhe adresimin e rasteve të radikalizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm në rang vendi dhe në mjedisin online”, tha Balla.

Që të shmangen rastet e ekstremizmit të dhunshëm Balla thotë se janë ngritur disa komitete të posaçme.

“Kryeministri Rama ka qenë dhe mbetet i angazhuar personalisht për sa i përket kësaj politike dhe me porosi të veçantë kemi ngritur 12 komitetet rajonale, të cilat do të shërbejnë si mekanizma kombëtare referimi për çdo platformë ndërinstitucionale, të cilat do të krijohen pranë Ministrisë së Brendshme, ku institucionet e ndryshme të përfshira në luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm do të mbledhin informacion dhe do të bashkëpunojnë për të analizuar dhe adresuar çështjet e kërcënimit dhe të rreziqeve në një nivel kombëtar”, u shpreh Balla.

Nga ana tjetër sipas ministrit të Brendshëm po bashkëpunohet edhe me 61 këshilla vendorë të sigurisë publike  në nivel lokal. /vizionplus.tv

Read Entire Article