Ditën e sotme, në orën 11:00 është mbledhur Këshilli i Legjislacionit, ku po shqyrtohet vendimi i Gjykatës Kushtetuese për mandatin e deputetes Olta Xhaçka, pasi sipas gjykatës vendimi i saj i parë nuk është zbatuar nga Kuvendi.
Në nisje të mbledhjes, kryetarja e Këshillit të Legjislacionit Dhurata Çupi paraqiti raportin e PD ku kërkohet heqja e mandatit të Xhaçkës duke e vënë nën akuzë për përfitim te parëve publike përmes bashkëshortit investitor strategjik.
Lexo edhe :
Related Posts
Në draft raport thuhet se me vendimin nr. 55/2024 të Gjykatës Kushtetutese është zgjidhur një konflikt kompetencash midis 1/10 së deputetëve, anëtarë të pakicës parlamentare, dhe Kuvendit të Shqipërisë.
“Për të shmangur çdo tentative për zvarritje, demokratët kërkojnë nga kryeparlamentarja Spiropali që të përfshijë në seancën e parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhacka”.
“Mënyra e vetme për zbatimin e këtij vendimi te Gjykatës Kushtetuese është ndjekja e procedurës parlamentare si më poshtë:
Kryetarja e Kuvendi duhet të përfshijë në seancën më të parë plenare për vendimmarrje nga Kuvendi projektvendimin “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”.
Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin se duhet të vendosë dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit për papajtueshmërinë e mandatit të deputetes Olta Xhaçka, pa vonesa, për t’i hapur rrugë ushtrimit nga Gjykata të kompetencave të saj kushtetuese.
Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë deputetët e Kuvendit të Shqipërisë se në këtë rast kanë detyrimin për të zbatuar Kushtetutën dhe ligjin, që detyrojnë vetëm votimin “PRO” projektvendimit “Për dërgimin në Gjykatën Kushtetuese të mocionit të jo më pak se 1/10 së deputetëve për konstatimin e papajtueshmërisë së mandatit të deputetes znj. Olta Xhaçka”, për shkak se deputetët e Kuvendit të Shqipërisë duhet të ekzekutojnë një detyrim konkret të lindur prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese.
Kryetarja e Kuvendit duhet të informojë Kuvendin për konstatimet dhe rekomandimet e dhëna në këtë opinion këshillimor nga anëtarët e Këshillit për Legjislacionin”, thuhet ne raportin e hartuar nga demokratja Dhurata Çupi.
Një kopje e ketij raporti i dorëzohet Kryetares së Kuvendit, një kopje ruhet në Zyrën e Arkivës së Kuvendit, dhe një kopje i shpërndahet për dijeni deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë. Me dorëzimin e këtij Raporti, përgjegjësia e Këshillit për Legjislacionin sipas nenit 87 të Rregullores së Kuvendit konsiderohet e përmbushur.
Në mbledhjen e Këshillit për Legjislacionin u diskutua dhe morën pjesë anëtarët e Këshillit, sipas zbardhjes së bërë në procesverbalin e mbledhjes së datës 27.08.2024.”/vizionplus.tv