Detaje të reja janë zbuluar në lidhje me 14-vjeçarin Colt Grey, i cili një ditë më parë shkaktoi masakrën e radhës në një shkollë amerikane duke vrarë 4 persona dhe plagosur 9 të tjerë.
FBI bën me dije se kishte lajmëruar një vit më parë autoritetet lokale që të kishin në kontroll të miturin, të cilin e kishin marrë në pyetje në lidhje me disa kërcënime në internet për sulme të mundshme.
Në atë kohë, Colt kishte mohuar se fshihej ai pas këtyre kërcënimeve, ku shfaqeshin armë dhe paralajmërime për sulme në shkolla.
I dyshuari hapi zjarr të mërkurën në shkollën e mesme Apalachee në qytetin e Winder, duke vrarë dy mësues dhe dy nxënës, ndërkohë që 9 të tjerë mbetën të plagosur.
Ai u arrestua në kampus nga forcat e policisë dhe mësohet se do të ndiqet penalisht si i rritur.
/a.r
Policia ka identifikuar viktimat si mësuesit Christina Irimie dhe Richard Aspinëall dhe nxënësit 14-vjeçarë Mason Schermerhorn dhe Christian Angulo.
Në një deklaratë, FBI tha se Qendra e saj Kombëtare e Operacioneve të Kërcënimit kishte njoftuar forcat lokale të zbatimit të ligjit në maj 2023 pasi kishte marrë informacione anonime në lidhje me kërcënimet në internet për të kryer një sulm në shkollë në një vend dhe kohë të pacaktuar.
Sherifët intervistuan djalin dhe babain e tij, të cilët deklaruan se “kishin armë gjahu në shtëpi, por subjekti nuk kishte akses të pambikëqyrur në to”, tha FBI.
I dyshuari, i cili në atë kohë ishte 13 vjeç, mohoi të kishte bërë kërcënimet në internet dhe zyrtarët paralajmëruan shkollat lokale për monitorimin e vazhdueshëm të kësaj çështje.
Ky është sulmi i 23-të në shkolla në SHBA për vitin 2024, sipas një baze të dhënash të mbajtur nga revista Education Week, e cila numëron 11 të vdekur dhe 38 të plagosur.