Policia e ka parë të riun nga Pensilvania, i cili tentoi të vriste kandidatin republikan për president Donald Trump, më shumë se një orë para të shtënave të 13 korrikut, tha sot një zyrtar i FBI-së.
Një oficer i policisë lokale e pa të armatosurin rreth një orë përpara se të fillonte fjalimi i Trump atë ditë, e konsideroi atë të dyshimtë dhe bëri një foto, shtoi ai. Trump pranoi të dëshmonte si viktimë, siç është zakon në raste të tilla, tha Kevin Rozek, agjenti special i ngarkuar me zyrën e FBI-së në Pittsburgh.
“Ne duam të dimë anën e tij”, shtoi ai.
FBI konfirmoi se ish-presidenti u godit nga një plumb “ose i plotë ose i fragmentuar”.
Në një konferencë në mëngjes me gazetarët, zyrtarët e FBI-së thanë se nuk kishin përcaktuar ende motivin e Thomas Crooks, 20-vjeçarit të armatosur që u qëllua dhe u vra nga një agjent i Shërbimit Sekret pasi hapi zjarr në një tubim të fushatës së Trump.
Sipas FBI-së, autori ka bërë më shumë se 25 blerje të ndryshme online në lidhje me armët e zjarrit në vitin 2023 duke përdorur një pseudonim. Në vitin 2024 bleu edhe gjashtë lëndë kimike pararendëse të përdorura në prodhimin e pajisjeve shpërthyese.
Megjithatë, nuk ka asnjë tregues se ai kishte ndonjë bashkëpunëtor në atentatin ndaj Trump. /vizionplus.tv