Mblidhet sot Kongresi i PS, fokusi dhe vendimmarrjet e socialistëve

3 months ago 48

Sot në orën 11.00 Partia Socialiste mbledh Kongresin, organin më të lartë drejtues të kësaj force politike.

Ky është një Kongres Zgjedhor nga i cili do të dalë Asambleja e re  e më pas të gjitha strukturat e tjera të Partisë Socialiste duke i dhënë kështu formën përfundimtare ekipit me të cilin Edi Rama do të luftojë për të fituar një mandat të 4 në krye të vendit.

Temat që do të diskutohet në kongres janë dy çështjet që qeveria ka vendosur si prioritet; turizmi si motori kryesor i zhvillimit të vendit dhe lufta kundër korrupsionit për të cilën mazhoranca ka miratuar një rezolutë në parlament dhe ka ngritur edhe një komision të posaçëm parlamentar.

Kryeministri Edi Rama do të flasë i fundit dhe pritet që ai të skicojë rrugën e Partisë Socialiste deri në zgjedhjet parlamentare që do të mbahen në pranverën e vitit të ardhshëm. Duke qenë se jemi vetëm 9 muaj larg zgjedhjeve parlamentare mesazhet e kryeministrit Edi Rama për 11 vite qeverisje dhe sfidën për të fituar një mandat të 4 mbetet moment më i rëndësishëm i kongresit.

Mbetet për tu parë nëse në këtë forum lideri i mazhorancës Edi Rama do të zgjedhë të shpallë emrin e socialistit që do të marrë postin e numrit 2 të shtetit e do të bëhet kryetari i parlamentit,  apo do ta shtyjë për në vjeshtë zgjedhjen e pasuesit të Lindita Nikollës, e cila dha dorëheqjen mbrëmjen e së premtes.

Pas mesazhit të kryeministrit Edi Rama delegatët do të votojnë për të zgjedhur 400 anëtarët e rinj të asamblesë duke i dhënë fund punimeve të kongresit të Partisë Socialiste./vizionplus.tv

Read Entire Article