“Me Kilin, për të gëzuar shqiptarët”, sot miqësorja në “Tardini”, Sylvinho: Europiani ka nisur

5 months ago 18
Reklamë

Shqipëria është gati për tu përballur sonte në stadiumin “Tardini” të Parmës kundër Kilit, një ndeshje të cilën në fakt vetë trajneri Silvinjo nuk dëshiron ta konsiderojë miqësore, përkundrazi si një sfidë që i ka futur lojtarët në ethet e “Euro 2024”.

“Lojtarët e dinë që Europiani ka shumë për të filluar. Ne jemi prej tre ditësh me lojtarët dhe flitet vetëm për Kilin dhe Suedinë. Nuk besoj te miqësoret. Kili është shumë i forte. Ka luajtur në 9 Botërorë, ka kaluar grupet, është mësuar të luajë kundër të gjithëve, Anglisë, Italisë, Brazilit. Tani për mua është shumë e veçantë të luaj ndaj tyre, se jam amerikano-jugor. Jam i kënaqur që jam këtu dhe do kemi një stadium të mbushur me shqiptarë dhe kjo na gëzon shumë që do të luajmë këtë ndeshje”, tha Sylvinho, trajner i kombëtares.

Teksa iu përgjigj interesimit të gazetarëve para ndeshjes ndaj skuadrës amerikano-jugore, Silvinjo u ndal edhe tek emra të përveçëm sikurse Broja dhe Manaj, dy sulmues mjaft të përfolur për ecurinë e tyre të kundërt në këtë moment të sezonit.

Është e drejtë që Manaj e Broja vijnë se po bëjnë mirë, janë të rëndësishëm, janë të ndryshëm në karakteristika. Po, ata mund të luajnë bashkë, nuk është problem. Por ta shohim. Më këtë moment nuk e mendoj aspak listën e Europianit. E kam thënë për Mujën, Dakun, Gjasulën që kanë bërë rrugëtim të rëndësishëm për ne, janë lojtarë që marrim në konsideratë.

Pavarësisht se fokusi është tek Kili, kapiten Gjimshiti teksa komenton rivalët e Evropianit si Italia apo Spanja flet me doza optimizmi.

“Në futboll gjithçka është e mundur. Kemi në frymë jashtëzakonisht të mirë dhe kemi lojtarë me cilësi dhe gjithë ekipi është në rrugën e duhur, pse jo, të bëjmë surprizën atje”, tha Gjimshiti.

Sot në “Tardini” Silvinjo pritet t’i besojë nga fillimi kryesisht formacionit të eliminatoreve, për të parë pastaj në aksion edhe emra si Manaj, Broja apo Arber Hoxha. Stadium pritet të jetë i gjithi kuqezi pasi janë me mijëra shqiptarët që kanë blerë bileta./vizionplus.tv

Read Entire Article