Me kokë në torbë

2 months ago 36

Nga Edison Ypi

Jeta me kokën lart, është turp dhe tmerr patetik.
Jetën me kokën majtas ta helmon çeta e budallejve me kokën djathtas.
Jetën me kokën djathtas ta nxijnë besnikët e kokës majtas.
Jeta me kokën përdhè, është jetë hyzmeqari, jet qeni, jet skllavi.
Ku dhe si ta mbash kokën për ta ndrequr jetën ?
Kokën mund ta mbash kahmos. Në duar, në prehër, në gji, në xhep, në sirtar, në dollap, në kafaz, në qymez. Kokën mund edhe ta marri një sherr kot ose një plumbi qorr. A mund ta lësh peng për ca kohë. Ose ta humbësh përgjithmonë në një Dashuri inkandeshente por pa Fat, në aksident, biznes, a në bixhoz.
Por nëse do të jetosh i qetë për të bërë një jetë rehati pa ngatërresat e pamerituara që të nxjerr koka mbi supe, në mënyrë që kokën mos me ta ça, mos me ta vra, mos me ta vjedh, mos me ta shtyp, mos me ta sëmur, e mira është kokën ta mbash në një vend të sigurtë. Ku mos ta shohi syri i keq, mos ta kalbi era dhe shiu, mos ta godasi breshëri, mos ta ftohi ngrica, mos ta djegi vapa. Ky vend, apo qosh, apo zgëq, për fat, ekziston. Quhet Torba.
Jeta me kokë në torbë, është më e mira e krejt jetave.
Të jetosh derisa të kesh ymër me kokë në torbë duke mos të ndodhur asnjë e keqe, as ty, as kokës tënde, as torbës tënde, kjo është zotësia, ky është talenti.
Jeta me kokë në torbë nuk është aq e kollajtë sa duket. Duhet me pas parasysh disa gjëra. Duhet me marr disa masa.
Që koka brenda torbës të ndjehet po aq rehat sa koka brenda kafkës, torba duhet zgjedhur me material koke gjarpëri dhe design kafke derri.
Të jetosh me kokë në torbë nuk duhet me e lëshu kurrë torbën nga dora, dhe kokën nuk duhet me e nxjerrë kurrë nga torba. Përndryshe, pra nëse torbën me kokën brenda e lëshon nga dora, të ka gjet belaja, të mori lumi, të piu e zeza. Në këtë rast fatkeq, e pakta që mund të ndodhi, torbën me kokën brenda, ta vjedhin. Torbën ta grisin. Kokën ta rrahin, ta plagosin, ta përgjakin, ta vrasin. Mbetesh pa kokë dhe pa torbë. Kokë tjetër dhe torbë tjetër s’ke. Jetës së rehatshme me kokë në torbë, thuaji lamtumirë.
Mund të ndodhi, Zot na ruj, që pasi ta marrin torbën tënde me kokën tënde brenda, të lënë torbën e vet me brenda kokën e vet. Pra torbën dhe kokën tënde, nuk ta vjedhin, as nuk ta prekin, por ta ndërrojnë me torbën dhe kokën e vet.
Nëse ndërrimit i torbave dhe kokave ndodh, ndërruesi vazhdon jeton me kokën dhe torbën tënde në trupin e vet, dhe ti me kokën dhe torbën e tij në trupin tënd. Po ratë në këtë kurth, do luani mendsh të dy.
Jeta me kokë në torbë është e ëmbël, por ka kosto, do ndeshesh me probleme.
Për shembull, koka në torbë flet qartë, por, duke qënë brenda në torbë, nuk dëgjohet mirë çfarë thotë.
Koka në torbë ku është gjithmonë errësirë, me kalimin e kohës nuk sheh mirë nga sytë.
Për të jëjtën arsye kokën në torbë pas një kohe e lënë dhe veshët.
Kokën në torbë, pasi e lënë sytë dhe veshët, e lë edhe mendja.
Megjithatë jeta me kokë në torbë ka avantazhe që jeta me kokën mbi supe as në ëndërr nuk guxon t’i shohi.
Koka në torbë, për shembull, në dallim nga koka mbi supe, s’mund të shkelet, shkelmohet, pështyhet. S’mund t’i thyhet kafka pas murit, as të theret me thikë në fyt, nuk mund t’i nxirren sytë, as nuk dërrmohet duke e shtypur ose plasur pas murit. Për më tepër, kush kalon jetë luksi me kokë në torbë, mund të vrasi, por nuk mund të vetvritet.
Me flokët e kokës në torbë, krehja ësht pak problem. Por kokën e çon te berberi. E ul në stol. I thua berberit: Ma rruaj. Berberi bën punën e vet. Ti bie rehat.
Koka në torbë të shpëton nga vdekja, nga plumbi në lule të ballit dhe nga pushkatimi. Kjo sepse koka në torbë s’ka lule të ballit. Ose ka, por lulja e ballit të kokës në torbë ndodhet atje ku hasmit, gjaksit, skuadrës së pushkatimit, nuk i vete mendja, te tulja e bythës.
Kollitja, teshtitja, gëlbazat, qurrat, jargët, e kokës në torbë nuk durohen. Por s’ke ç’u bën. Janë pjesë e jetës së rehatëshme me kokën në torbë, ose me torbën në kokë.

Read Entire Article