Me të vjetra, apo me të reja?

2 months ago 22

Nga Pëllumb Kulla

E nxorëm Lekun e Vjetër në pension në vitin e largët 1964. I thamë atij: “hiqu mënjanë edhe mos na dil më nëpër këmbë!” Jemi në vitin 2024, gjashtë dhjetëvjeçarë kaluan edhe e kemi ende nëpër këmbë, siç nuk e deshëm! Jo vetëm kaq, por na është bërë edhe histori edhe realitet! Është qesharake gjëndja, teksa ka ende njerëz që në marrëdhënien e përditshme në gojë kanë vetëm atë. Me sy i lexojnë shifrat mbi monedhat e reja, por me gojë nuk e thërasin asnjë herë në emër Lekun e Ri.

Ka pastaj të tjerë që në të njëjtën fjali, Lekët e Vjetër dhe të Rinjtë i bëjnë përshesh. E ti pyet veten “më thuaj, o Perëndi, në cilin planet ndodhem?”. Në autobuzin urban, një mbrëmje, kisha përpara një burrë me valixhe, që dukej se vinte nga një udhëtim, brenda vendit. Dhe ai diç po i tregonte me zjarr së shoqes. Ishte një histori absurde, që nuk arrija ta kuptoja dot.

“Ai, i zoti hotelit, një maskara, më tha se mund ta likujdoja të nesërmen, kur të ikja nga hoteli. Më pat thënë që një krevat, do të ishte 4000 lekë nata. Kur do ndaheshim të nesërmen më tha se e kisha dëgjuar gabim dhe se duhet të paguaja edhe 400 më shumë. Desh u therrmë!”

“Po edhe ti, or burrë,” i thosh e shoqja, “sa të bëheshe për gjak me të, ia jepje ato 400 të flamosura, atij batakçiut! 400 ishin, nuk ishte gjë e madhe!”

“Ishin 400 të reja, moooj! I desh 400 të reja ai!”

“Uaaa! Të reja?! Shiko-shiko! I poshtri!”

“Këto 400 harroi, i thashë! Nuk t’i jap sikur të hidhesh përpjetë! Bëmë e bëmë llafe. Pastaj ramë në ujdi, nxorra dhe i pagova 2000 dhe e mbylli gojën… Ama, ato 400, që kërkonte ai, nuk ia dhashë!”

Rrëmujë! Shashërdi! Kaos!

Asnjë lajm zyrtar nuk e merr dot besimin e plotë të njerëzve, kur dëgjojnë shifra, ngaqë pas tyre në mendjet e shqiptarëve lind e njëjta pyetje: “Flitet me të vjetra, apo me të reja?”

Se ai maskara, Leku i Vjetër, nuk e thyen qafën. Nuk pyet ai për dekretin e vitit 1964 dhe qëndron gjallë e shëndoshë mes njerëzve. Pah, çfarë shërbimi u bën ai tregtarëve të vegjël, kioskave, shitësve të rrugëve! Pah, sa leverdi u sjell atyre kjo gjëndje në marrëdhënie me turistët dhe me vetë shqiptarët, që vijnë nga jashtë kufijve dhe nuk orientohen dot!

Është pastaj edhe qasja amorale e qeverive, që nga ai vit i largët e këtej. Prej atëherë thuajse, të forcohet bindja, se kjo gjëndje, qeverisë i intereson në mënyrë thjesht hileqare, sidomos kur i duhet të referojë për situatat ekonomike në formën e propagandës dhe të krijojë konfuzion sidosi të nevojshëm.

Me konvertimin në mënyrë filloreske, duke i hequr Lekut të Vjetër vetëm një zero, qeveria e Hoxhës ua bëri të thjeshtë dhe të mundur njerëzve të mbajnë këtë gjuhë që po e mbajnë ende sot. Për të do të kish qenë fare e thjeshtë dhe e udhës, që njëqindën, të mos e bënin dhjetë, por ta bënin të paktën nëntë, ose trembëdhjetë. Sot Leku i Ri do të ishte i pavarur nga i vjetri.

Ajo kohë iku, por qeveritë paskomuniste as e turbulluan qetësinë me gjëndjen që po përshkruaj. Nuk ndërmorën asnjë korigjim dhe, bile, nuk penalizuan asnjë nëpunës të vetëm të tyrin, nga ata që në të folmen e përditshme brenda pesëdhjetë fjalëve, i përdorin shifrat si ai çifti që përmenda më lart. Dhe shëmbuj të bukur ka. Qeveria franceze dikur pat vendosur ndëshkime, për rastet kur nëpunësit e administratës së saj përdornin fjalë jofrënge në shkresat e tyre.

Por, nuk ndodh kjo në atdheun tonë. Për turpin e tyre, mëkatojnë nëpunësit më të lartë. Bile edhe vetë krerët e shtetit! Ata mburen me shifrat e lekëve të vjetër, sepse kanë nga një zero më tepër që i mbrojnë më shumë se një gardh policësh. Dhe shfajësohen për dëme që janë shkaktuar e dështime që janë pësuar, duke ia sjellë popullit në shifra me lekë të vjetër, që kanë të mirën e madhe që e bëjnë hatanë të duket akoma më e madhe.

Në shënimet e mia, kam gjetur tregimin në telefon të një miku, për një fjalim të Fatos Nanos, që duke qënë i pari i vendit në një fushatë zgjedhore pat përdorur gjuhën e mësipërme. Foli për të mirat që pat sjellë qeverisja e tij dhe premtoi të mira edhe më të shumta në rast se do t’ia jepnin edhe një herë votat. Paskej thënë:

“Tani ne synojmë ta përmirësojmë dukshëm gjendjen, se të themi të drejtën, nuk kemi bërë kushedi se çfarë. E kemi shpënë pensionin mesatar deri 90.000. Pak-pak, por ama, kur qeverisnin kundërshtarët tanë një pensionist i gjorë nuk merrte veçse 9.000 të mjera!…”

Read Entire Article