Në raste festash familjare apo edhe festa të ndryshme përherë amvisat përgatisin shëndetlie.
Një delikatesë e përgatitur me mjeshtëri nga nënat dhe gjyshet shqiptare.
Me arra dhe mjaltë, shëndetlia është një ëmbëlsirë që kënaq nepsin e oreksin në çdo kohë të ditës.
Receta e saj është ndër më të vjetrat e kuzhinës shqiptare dhe një ndër ëmbëlsirat që përherë përcjellin gëzimin dhe harenë familjare.
E përgatitur krejt lehtë, receta e saj kërkon kujdes e mbi gjitha shumë dashuri për të përftuar në fund këtë ëmbëlsirë fantastike të mbushur me arra dhe zbutur me mjaltë.
Shëndetlia shoqërohet mjaft mirë me një filxhan çaj, akullore por edhe fruta të ndryshme, veçanërisht me mollë ose ftonj.
Përgatitja e Shëndetlies Krejt Lehtë në Shtëpi
(Receta më poshtë është për përgatitjen e 25 copë shëndetlie)
- 1 kg miell
- 1 gotë uji me sheqer
- 300 gr mjaltë
- 6 kokrra vezë të plota dhe 1 e verdhë veze për të lyer sipërfaqen e ëmbëlsirës
- 300 gr gjalpë
- 300 gr arra
- 1 lugë kafeje sodë
- Pak vanilje
- (Për shurupin)
- 3 gota uji sheqer
- 2 gota e gjysmë me ujë
Përgatitja
Në një enë përzihen mirë vezët, sheqeri, mjalti dhe gjalpi dhe në fund shtrohen arrat.
Më pas masës i shtohet mielli i përzier me sodë buke.
Zihet brumi, i cili nuk duhet punuar shumë që të mos bëhet elastik.
Brumi i përgatitur vihet në tavë të lyer me pak gjalpë, rrafshohet me dorë, lyhet sipërfaqja me vezë, i bëhen disa viza me pirun dhe piqet për 35-4 minuta në 180 gradë.
Pas pjekjes ftohet dhe pritet në formë rombi.
Gjatë kohës që ëmbëlsira piqet përgatisim shurupin, hedhim ujin dhe sheqerin në një enë derisa sheqeri të ketë shkrirë plotësisht dhe të përftohet shurupi.
Në fund mbi ëmbëlsirën hidhet shurupi i vakët si i bakllavasë dhe i aromatizuar me vanilje./AgroWeb.org
The post Mënyra më e Mirë e Përgatitjes së Shëndetlies me Shije të Përsosur appeared first on AgroWeb.