Nga: Enkelejda Mema
Për procedurë Edi Rama shkoi vetë në mbledhjen e grupit parlamentar të socialistëve për të prezantuar ministrat e rinj të kabinetit qeveritar.
Të shkarkuarit Taulant Ballën, Niko Peleshin dhe Ervin Meten i falënderoi për punën e bërë. I vetmi që nuk mori vlerësimet drejtpërdrejt ishte ish Ministri i Financave. Ervin Mete nuk erdhi në mbledhjen e thirrur pak orë pasi kryeministri e hoqi.
Nga salla e Pallatit të Kongreseve në atë të Grupit Parlamentar të Socialistëve në kuvend Edi Rama u bëri të njëjtën kritikë. Ai u tha se të gjithë janë nën vëzhgim për angazhimin e tyre në terren në prag të parlamentareve të 2025-ës.
Madje që muajt në vijim do të jenë një provim për të gjithë nëse do ta meritojnë ose jo të përfshihen në listat e kandidatëve për deputetë.
Një ditë pasi Edi Rama i dorëzoi Bajram Begaj dekretet e shkarkimeve dhe emërimeve, emrat e Pirro Vengut, Ervin Hoxhës dhe Petrit Malaj po kalojnë në sitën e verifikimit.
Me firmosjen e dekreteve nga kreu i shtetit, ato do të kalojnë për votim në parlament. Seanca e posaçme pritet të zhvillohet pasditen e së martës. Zyrtarisht ende nuk ka një vendim nëse grupi parlamentar i Partisë Demokratike do të marrë ose jo pjesë në seancë.
Pas votimit, ministrat e rinj do t’i presë Bajram Begaj ku do të betohen mbi kushtetutë.
Ndryshimet në qeveri dhe zëvendësimin e Lindita Nikollës me Elisa Spiropalin në krye të parlamentit pritet të pasohen nga të tjera në kampin e socialistëve.
Në javën e fundit të gushtit do të mblidhet asambleja kombëtare e PS. Përveç zgjedhjes së kryesisë së re, radhën e kanë drejtuesit politik të 12 qarqeve./vizionplus.tv