Ministri i Jashtëm Igli Hasani, po mban një konferencë të përbashkët me homologen e tij sllovene Tanja Fajon.
Ai u shpreh se Fajon është mikeshë e Shqipërisë dhe përkrahëse e integrimit tonë në Bashkimin Europian.
Kryediplomati shqiptar shtoi se Sllovenia është një avokate e fuqishme për perspektivën evropiane dhe të Shqipërisë dhe rajonit
“Sllovenia ka qenë dhe mbetet një model për ne, jo vetëm si vendi në rajon që u integrua më shpejt nga të tjerët në Bashkimin Europian, por edhe për zhvillimet demokratike dhe konsolidimin e institucioneve të shtetit të së drejtës.
Gjatë takimit diskutuam për një sërë çështjesh të rëndësishme, dy dhe shumëpalëshe, por një vend të veçantë zuri rrugëtimi ynë drejt Europës së bashkuar. Përgjatë gjithë këtij harku kohor, Shqipëria ka hedhur hapa të rëndësishëm në përmbushjen e reformave të domosdoshme.
Qeveria shqiptare ka punuar fort për zbatimin e reformave të kërkuara për anëtarësimin në BE, veçanërisht në fusha të tilla si reforma në Drejtësi, ku vetingu i gjyqtarëve e prokurorëve dhe krijimi i institucioneve të reja të drejtësisë, janë hapa pozitivë, ndërkohë që zbatimi i plotë dhe i qëndrueshëm është një faktor thelbësor. Lufta kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka shënuar një përparim të dukshëm në këtë drejtim, ku nuk mungojnë rastet e profileve të lartë dhe të një sistemi drejtësie të pavarur dhe efikase.
Arritjet në këto fusha bëjnë që progresi ynë të jetë i prekshëm dhe i dukshëm. Qeveria dhe institucionet janë të përkushtuara për të ruajtur vrullin në përpjekjet tona për reforma dhe për të garantuar që Shqipëria të vazhdojë të përmbushë standardet e larta të kërkuara për anëtarësim.
Ndërtimi dhe rritja e kapaciteteve të institucioneve është një tjetër fokus kyç. Ne po investojmë në trajnime dhe burime për të siguruar që institucionet tona mund të zbatojnë dhe monitorojnë në mënyrë efektive politikat dhe rregulloret që lidhen me BE-në.
Sllovenia ka qenë një avokate e fuqishme për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe ka dhënë një shembull frymëzues për reformat e suksesshme që një vend mund të bëjë për t’u integruar në familjen evropiane. Kjo mbështetje ka qenë vendimtare për ne, ndaj jemi të vendosur që të vazhdojmë në këtë rrugë me përkushtim dhe vendosmëri. Në këtë kontekst, dua t’i shpreh mirënjohjen tonë koleges Fajon, për kontributin e Sllovenisë, jo vetëm në drejtim të Shqipërisë, por edhe për gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe ta siguroj atë që anëtarësimi në BE mbetet prioriteti ynë strategjik.”, tha Hasani./vizionplus.tv