Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha priti sot në takim të Ngarkuarën me Punë të SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn, me të cilën bisedoi rreth marrëdhënieve dypalëshe, duke vënë në dukje miqësinë e fortë mes dy vendeve, bashkëpunimin dhe partneritetin e fortë strategjik.
Ministri Hoxha falënderoi përfaqësuesen e Ambasadës së SHBA për mbështetjen e pakursyer ndaj agjencive ligjzbatuese të Shqipërisë, veçanërisht programin ICITAP, me fokus asistencën për Policinë e Shtetit.
Në lidhje me takimin, Ministri u shpreh se ishte kënaqësi takimi sot me të Ngarkuarën me Punë të SHBA në Tiranë, Nancy VanHorn, me të cilën konfirmuam jo vetëm miqësinë mes dy vendeve, por ritheksuam partneritetin e fortë strategjik.
Duke falënderuar përfaqësuesen e SHBA për mbështetjen ndaj Policisë së Shtetit, ministri Hoxha theksoi se “e njohu znj. VanHorn me disa prej prioriteteve në detyrën si Ministër i Brendshëm, duke e falënderuar gjithashtu për kontributin e çmuar që ofron programi ICITAP për Policinë e Shtetit dhe agjencitë ligjzbatuese shqiptare, në funksion të rritjes së parametrave të sigurisë”.
Në takim është diskutuar edhe për tema të tjera me interes për qytetarët e të dy vendeve.
“Folëm në këtë takim të parë, mbi mundësitë e reja të thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit për mirëqenien e qytetarëve tanë”, thotë ministri Hoxha pas takimit. /vizionplus.tv