Mosbindja civile ka ndarë popullin opozitar nga Berisha

2 hours ago 26

Nga Mero Baze

Ka dy rezultate pozitive të dukshme aksioni i ri opozitar. E para, është një aksion që ka ndarë popullin opozitar nga udhëheqja e opozitës, dhe e dyta, ka ndarë opozitën e varur nga Berisha nga pjesa tjetër e opozitës.

Ndarja e parë është dramatike për Berishën. Efekti i parë i këtij aksioni është mosbindja civile e popullit opozitar ndaj Sali Berishës. Jo vetëm braktisja në ditën që thirrën mitingun, por qysh nga shpallja e këtij aksioni deri më sot, nuk kemi asnjë akt të mosbindjes civile, nga qytetarët. Kemi vetëm dhunë jo civile nga tre- katër deputetë të përçudnuar të opozitës, nga terrori se mos Berisha nuk i fut në listë.

Distancimi i popullit opozitar nga aksioni i vetëquajtur opozitar i Sali Berishës, tre javë pasi ai e ka shpallur atë publikisht, e vizaton qartë këtë aksion, si një luftë e një grupi mercenar që kërkon t’i shërbejë Berishës disa muaj derisa të sigurohen se do t’i fusin në listë. Pas kësaj keni për të parë prapë “8 janarin” e ardhshëm, kur do kacafyten me njëri- tjetrin, dhe të gjithë bashkë kundër “babit të Zenit”.

Ndarja e dytë ka ndodhur dhe brenda deputetëve të opozitës. Nga gjithë grupet opozitare, po përfshi dhe grupin e PD, madje dhe ata që formalisht janë me Berishën, 10 deri 15 deputetë po përpiqen të jenë aktivë dhe t’i mbushin mendjen Berishës se meritojnë vendin në listë. Janë pak a shumë ata që u kthyen me vonesë nga Basha tek Berisha dhe duan të fitojnë kohën e humbur.

Përveç Flamurit, që nuk ka ku të shkojë pa Berishën se është “non grata” njësoj si ai, në një vend të madh perëndimor, të tjerët nuk i bashkon fati me Berishën, por Berisha ka në dorë fatin e tyre politik dhe ata po bëjnë si ushtarë besnikë të tij. Pjesa tjetër po rri mënjanë dhe po shikon punën e vet.

Partitë e reja opozitare janë qartazi të distancuara nga aksioni i Berishës dhe partitë parlamentare opozitare që janë në aleancë me PD, janë të distancuara nga skenat sharlatane.

Të dy këto zhvillime që janë të prekshme, e kthejnë “mosbindjen civile” të Berishës, në një mosbindje opozitare ndaj tij, dhe e reduktojnë aksionin e tij politik si një aksion mercenarësh që presin të shpërblehen për atë që bëjnë.

Nga ana tjetër ky aksion e gjen qeverinë dhe personalisht Edi Ramën, në kohën e tij më të mirë, që në mes të këtij aksioni opozitar Brukseli i hap negociatat edhe për shkak të kësaj marrëzie, dhe që e gjithë kjo atij vetëm sa i krijon klimë politike positive, për shkak të kontrastit të qeverisë me dhunën e rrugës.

Shpresa e vetme e Berishës që përmes dhunës të shkojë në ndonjë marrëveshje të re me Ramën, është e vdekur, pasi nuk i duhet më Ramës për asgjë. Tamam tamam atij i duhet kështu, rrugëve, me urë zjarri në dorë dhe në majë të ballkonit, si një turmë e çoroditur që nuk ngjall shpresë as brenda në shtëpi të Sali Berishës.

Read Entire Article