Ditën e sotme është mbajtur në Gjykatën e Posaçme seanca gjyqësore për Fatmir Mediun, i pandehur për tragjedinë e Gërdecit.
Gazetarja e Vizion Plus, Blerina Cene raporton se Mediu nuk ishte i pranishëm në sallë. Po ashtu mungonte eksperti Ymer Stafa, ndërsa ishin të pranishëm katër ekspertët e tjerë kontabël, Latif Çela, Rasim Metallari, Mondi Hoxha dhe Bexhet Zeqiri.
Ekspertët dorëzuan përgjigjet e rreth 150 pyetjeve të bëra nga prokuroria.
Mungon firma e Ymer Stafës, i cili do të firmoste përgjigjet, por e kishte të pamundur dhe për këtë arsye janë përgjigjur katër ekspertët e tjerë, ndonëse ai është dakord me përgjigjet e pyetjeve.
Por gjykata ka kërkuar që dokumenti i dorëzuar të jetë i firmosur nga të pestë ata.
Latif Çela: Mbrojtja dorëzoi pyetje të tjera. Nuk mund të vazhdojmë në pafundësi me pyetje sot e pyetje nesër. Disa pyetje nuk i korrespondojnë ekspertizës sonë.
Gjykata: Mos iu përgjigjni atyre pyetjeve.
Ndërsa prokurori Klodian Braho ka kërkuar paraqitjen e eksperit tjetër, Ymer Stafa.
Klodian Braho: Eksperti duhet të ishte paraqitur.
Avokati Henrik Ligori: Meqënëse kanë qenë pesë ekspertë, duhet të ishin paraqitur të gjithë. Ishim përgatitur për debat gjyqësor, por gjykata vendosi qe përgjigjet të bëhen me shkrim.
Gjykata: Përgjigjet janë nënshkruar nga katër prej pesë ekspertëve. Gjykata vendos qe përdërisa eksperti nuk është i pranishëm për shkaqe shëndetësore të ndërpresë seancën. Përgjigjet e pyetjeve të nënshkruhen nga të pestë ekspertët që akti të kryhet në mënyrë kolegjiale.
Gjykata vendosi një afat maksimal prej dy javësh dhe i ktheu aktet ekspertëve që ta pajisin si një të vetëm edhe me pyetjet e mbrojtjes.
Seanca e radhës do të mbahet më 31 korrik, në orën 09:00./vizionplus.tv