Nis sot viti i ri shkollor 2024-2025, 28 mijë nxënës ulen për herë të parë në bankat e shkollës! Presidenti Begaj: Suksese

2 months ago 52

Ditën e sotme, 9 shtator, ka nisur viti i ri shkollor 2024-2025 për 350 mijë nxënës të arsimit parauniversitar në 1725 shkolla në të gjithë vendin. 28 mijë nxënës do të ulen për herë të parë në bankat e shkollës, ndërsa rreth 27 mijë janë të regjistruar në klasat e 10-ta.

25 shkolla të reja hapin dyert për herë të parë për të pritur nxënësit e fëmijët në vitin e ri shkollor, si dhe 216 laborator të rinjtë.

Prej 9 Shtatorit për nxënësit me nevoja të veçanta do të ketë 2100 mësues ndihmës.

850 psikologë dhe punonjës social nëpër shkolla, 50 më shumë se 2023.

Po ashtu 240 oficerë sigurie do të jenë të dedikuar për sigurinë e nxënësve në shkolla, 40 më shumë se në 2023.

Mbi 230 mijë nxënës përfituan këtë vit librat falas. Ky vit nis edhe me rritjen e pagës për 31 mijë mësues në vlerën 950 euro.

Presidenti Begaj në nisje të këtij viti shkollor i ka uruar suksese të gjithë nxënësve.

“Urimet më të mira dhe suksese të gjithë nxënësve e mësuesve që nisin sot vitin e ri shkollor!

Në veçanti, urime nxënësve të klasave të para që fillojnë maratonën e gjatë, sfiduese, por edhe shpërblyese të dijes.

Një brez që sot përqafon diturinë, ndërton një botë dhe të ardhme më të mirë për të gjithë”, shkruan Presidenti Begaj.

Dy ditë më përë, edhe Policia e Shtetit prezantoi planin e masave të marra me qëllim krijimin e një mjedisi sa më të sigurt për çdo nxënës.

“Policia e Tiranës, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024 – 2025, në bashkëpunim me Drejtorinë Arsimore Rajonale Tiranë, drejtuesit e shkollave të qarkut të Tiranës, stafet pedagogjike dhe oficerët e sigurisë në shkolla, është angazhuar maksimalisht dhe ka ndërmarrë një sërë masash, për garantimin e fillimit të vitit të ri shkollor dhe krijimin e një mjedisi sa më të sigurtë për çdo nxënës.

Gjatë ditës së parë të shkollës, në të gjitha shkollat e qarkut Tiranë, do të planëzohen shërbime nga Komisariati i Policisë Rrugore Tiranë, shërbime të Patrullës së Përgjithshme, Forcës së Posaçme “Shqiponja”, shërbime të Seksionit për Hetimin e Krimeve, për vijimësinë e procesit mësimor, përsa i përket detyrave të Policisë, në drejtim të rendit dhe sigurisë.

Shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë marrë kontakt me drejtuesit e shkollave dhe oficerët e sigurisë në shkolla, dhe do të jenë në gadishmëri të plotë 24/7, për të koordinuar veprimet, me qëllim parandalimin e depërtimit të fenomeneve negative nëpër shkolla, dhe për ndërhyrjen e menjëhershme për parandalimin e çdo veprimtarie kriminale që cenon sigurinë e nxënësve.

Policia e Tiranës apelon për prindërit dhe çdo drejtuesi automjeti që, ditën e hënë, më datë 09.09.2024, të kufizojnë lëvizjet me automjete në afërsi të shkollave, me qëllim që qarkullimi të vijojë normalisht dhe të shmanget trafiku.

Patrullat e Përgjithshme dhe shërbimet e Policisë Rrugore, çdo mëngjes, në kohën e pushimit të gjatë dhe në përfundim të mësimit, do të jenë prezente në shkolla dhe në akse rrugore, me qëllim rritjen e parametrave të sigurisë rrugore.

Policia e Tiranës uron nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme, suksese në këtë vit shkollor!”/vizionplus.tv

Read Entire Article