Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale ka lajmëruar nisjen e një projekti kërkimor shkencor nën ujor në fshatin Lin.
Rama thotë se po përgatitet vendimi për t’a shpallur fshatin Lin zonë arkeologjike
“Ka rinisur Projekti kërkimor shkencor “Lin 3, gërmime arkeologjike nënujore” me ekipin shqiptaro – zvicerian në fshatit Lin. Rezultatet e para dhe datimet e materialit arkeologjik të realizuara në Universitetin e Gjenevës në Zvicër me mbështetjen e Universitetit të Oxford-it në Angli, e rendisin vendbanimin palafit “Lin 3” si vendbanimin më të vjetër të kësaj tipologjie në Europë.
Gjatë këtij sezoni, arkeologët do të përqëndrohen në thellimin e njohurive mbi shtrirjen e këtij vendbanimi, kompleksitetin e ndërtimit, si dhe lidhjet e tij me sitet arkeologjike të së njejtës periudhë në pellgun e Korçës. Duke vlerësuar rëndësinë e këtij zbulimi arkeologjik, Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore, janë duke punuar për përgatitjen e vendimit për vënien në mbrojtje dhe shpalljen e tij zonë arkeologjike, e cila pritet të finalizohet brenda vitit 2024″, shkruan kryeministri Rama./vizionplus.tv