Detaje të reja janë bërë me dije rreth atentatit ndaj ish-presidentit Donald Trump.
The Washington Post raporton se një oficer i policisë lokale në Butler të Pensilvanisë e pa atentatorin, Thomas Mathew Cooks, 20 vjeç, pak para se të qëllonte ish-presidentin e SHBA, Donald Trumpin të shtunën gjatë mitingut elektoral të këtij të fundit, por nuk ishte në gjendje ta ndalonte atë, tha sherifi i kontesë së Butler, Michael T. Slupe.
Slupe tha se oficeri po ekzaminonte zonën pasi kishte kërkesa nga forcat e rendit për të identifikuar një person të dyshimtë i cili mund të përbënte rrezikshmëri për sigurinë e eventit.
“Kështu që polici iu përgjigj kësaj kërkese dhe po punonte për të gjetur personin në fjalë, kontrolloi zonën, por nuk mundi ta gjente atë, kështu që tha: “Epo, le të kontrollojmë çatinë,” tregoi Slupe.
Ai bëri me dije më tej se oficeri u ngrit për të parë në çati, ku gjeti atentatorin Thomas Mathew Cooks, të armatosur, i cili gjithashtu pa oficerin dhe i drejtoi armën këtij të fundit.
“Ai e la dhe nuk ndërhyri sepse nuk dëshironte të vritej,” zbuloi Slupe.
Pas kësaj, i riu filloi të qëllonte në drejtim të Trump. Plumbi e preku kandidatin republikan te veshi i djathtë. Trump u gjakos në fytyrë dhe u rrëzua pranë podiumit.
Ndërkohë më herët, vrasësi u vu re jashtë zonës ku ndodhi ngjarja nga forcat lokale të zbatimit të ligjit, të cilët dyshuan se ai mund të kishte vepruar në mënyrë të dyshimtë pranë detektorëve të metalit duke kaluar në brendësi të zonës së sigurisë, tha një zyrtar i lartë i zbatimit të ligjit.
Ata bënë një njoftim në radio për ta mbajtur nën vëzhgim dhe ai informacion iu transmetua Shërbimit Sekret, tha burimi. /vizionplus.tv