Gjermania dëboi disa afganë në vendin e tyre – për herë të parë prej se talibanët morën pushtetin në Afganistan në gusht të vitit 2021.
“Ata ishin të gjithë të dënuar, të cilët nuk kishin të drejtë të qëndronin në Gjermani dhe kundër të cilëve ishin lëshuar urdhra për dëbim”, tha zëdhënësi i Qeverisë gjermane, Steffen Hebestreit.
Agjencia e lajmeve, DPA, raportoi se një avion i kompanisë Qatar Airways me 28 shtetas afganë në bord, të cilët kishin arritur në Gjermani nga shtete të ndryshme, është nisur nga Lajpcihu për në Kabul, mëngjesin e së premtes.
Operacioni u organizua nga Ministria e Brendshme e Gjermanisë.
Gjermania nuk ka marrëdhënie diplomatike me udhëheqësit talibanë në Kabul.
Kancelari gjerman, Olaf Scholz, ka thënë pas një sulmi vdekjeprurës me thikë në qytetin Manhajm në fund të majit, se dëbimi i kriminelëve të rrezikshëm dhe i të dyshuarve terroristë në Afganistan dhe Siri, do të bëhet i mundur.
Debati është rikthyer pas një sulmi vdekjeprurës me thikë, javën e kaluar në qytetin e Solingenit, ku kanë mbetur të vdekur tre persona.
I dyshuari kryesor për këtë sulm është një 26-vjeçar sirian, i cili besohet se i ka shpëtuar urdhrit të dëbimit./rel