Osmani takon ambasadorin amerikan, diskutime për propozimet për zgjidhje lidhur me dinarin

8 months ago 6

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, tha se me ambasadorin amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka diskutuar për propozimet, që sipas saj, ofrojnë “një zgjidhje të qëndrueshme për planin e trazicionit për zbatimin e rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës”.

Rregullorja e BQK-së, që hyri në fuqi më 1 shkurt, parasheh euron si valutën e vetme për kryerjen e pagesave me para të gatshme, duke ndaluar përdorimin e dinarit serb.

Në njoftimin për media të Presidencës së Kosovës, megjithatë nuk u bë e ditur se për çfarë propozimesh Osmani ka biseduar me Hovenierin gjatë takimit të tyre të rregullt.

Shtetet e Bashkuara kanë kundërshtuar zbatimin e rregullores së BQK-së, duke thënë se ajo është miratuar pa konsultime paraprake dhe pa marrë për bazë ndikimet negative që mund të ketë te popullata serbe në Kosovë, e cila që nga paslufta ka përdorur dinarin serb.

BQK-ja ka thënë se rregullorja do të zbatohet përmes një tranzicioni të lehtësuar, që do të zgjasë jo më shumë se tre muaj. Ndërkaq, nga ekzekutivi kosovar kanë thënë se së shpejti do të dalin me një listë prej dhjetë masash lidhur me mënyrat se si qytetarët të mos dëmtohen gjatë fazës kalimtare të zbatimit të vendimi.

Çështja e ndalimit të dinarit serb ka tendosur raportet mes Qeverisë së Kosovës dhe SHBA-së. Uashingtoni i ka kërkuar Qeverisë së kryeministrit Albin Kurti, që të shtyjë zbatimin e rregullores. Por, Kurti ka insistuar se kjo rregullore nuk do të zhbëhet.

Për shkak të mospërmbushjes së kërkesës amerikane, ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, ka deklaruar se SHBA-ja mund të mos e trajtojë Kosovën si partnere, nëse ajo merr vendime pa u konsultuar me të.

Pas kësaj deklarate të zyrtarit të lartë amerikan, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se nuk po rrezikohet partneriteti me SHBA-në.

Por, ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeff Hovenier, pas kësaj deklarate të kryeministrit kosovar, ka thënë se vendimi i ndalimit të dinarit, veçse ka ndikuar në cilësinë e raporteve mes SHBA-së dhe Qeverisë së Kosovës.

Shteti serb ndan miliona euro për serbët në Kosovë pasi ua paguan atyre – përmes një sistemi paralel – rrogat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Në vende të caktuara në Graçanicë, qytetarët serbë më 20 shkurt nuk kanë mundur të marrin ndihmën sociale dhe shtesat për fëmijë në postë, që punon sipas sistemit serb, sepse punonjësit u kanë thënë se nuk kanë para për t’i paguar këto shtesa.

Po ashtu, më 21 shkurt një grup i mësimdhënësve në Mitrovicë të Veriut protestuan para Kursimores së Postës së Serbisë, pasi nuk morën pagat.

Beogradi e ka kritikuar ashpër rregulloren e BQK-së, duke e interpretuar si synim të Qeverisë së Kosovës për dëbim të serbëve. /REL

Read Entire Article