Gjysmë shekulli më vonë, Kili do të përpiqet sërish të zbulojë misterin e vdekjes së poetit fitues të çmimit Nobel Pablo Neruda, i cili vdiq në shtator të vitit1973, disa ditë pas grushtit të shtetit të Pinochet.
Gjykata e Apelit në Santiago urdhëroi të martën rihapjen e dosjes së çështjes në mënyrë që të kryhen siç duhet procedurat e kërkuara nga paditësit dhe të cilat mund të hedhin dritë mbi faktet.
Rihapjen e hetimeve e kishin kërkuar të afërm të poetit, mes tyre edhe një nipi i tij, si dhe Partia Komuniste, anëtar i së cilës ishte Neruda.
Vendimi i Gjykatës së Apelit anulon urdhrin e gjyqtares Paola Plasa për mbylljen e hetimeve për shkaqet e vdekjes së poetit, i cili u nderua me Çmimin Nobel për Letërsinë në vitin 1971.
Vdekja e tij
Pablo Neruda vdiq më 23 shtator 1973, dymbëdhjetë ditë pas grushtit të shtetit të gjeneralit Pinochet dhe rrëzimit të presidentit socialist të Kilit, Salvador Allende, i cili ishte mik i ngushtë i poetit.
Rasti i vrasjes së tij u shfaq në vitin 2011, pas zbulimeve të bëra nga Manuel Araya, i cili në atë kohë ishte një anëtar i ri i Partisë Komuniste dhe punonte si ndihmës dhe udhërrëfyes i autorit.
Sipas kësaj teorie, Neruda vdiq në prag të nisjes për në Meksikë, ku synonte të mërgohej për të organizuar rezistencën ndaj regjimit të Pinochetit. Deri atëherë, versioni zyrtar thoshte se poeti vdiq nga kanceri i prostatës.
Në vitin 2017, ekspertët ndërkombëtarë hodhën poshtë njëzëri versionin zyrtar të regjimit diktatorial. Megjithatë, ata as konfirmuan dhe as përjashtuan mundësinë që ai të ishte helmuar qëllimisht me ndonjë toksinë apo baktere kur iu dha injeksioni i “dyshuar”.
Hetimi i ri
Ndër masat e reja të urdhëruara nga gjykata sot është një ekspertizë për të shqyrtuar dhe interpretuar rezultatet në të cilën arritën ekspertët kur analizuan mostrat nga trupi i poetit pas zhvarrosjes së tij.
Sipas shifrave zyrtare, rreth 3200 njerëz u vranë gjatë diktaturës Pinochet dhe 38,000 të tjerë u torturuan./vizionplus.tv/