Parqe fotovoltaike edhe në kullota, deputetja socialiste Edona Bilali depoziton nismën në Kuvend

2 months ago 36

Shqipëria ka njohur një interes në rritje vitet e fundit për investimet në energjinë e rinovueshme. Por ngërçi kryesor mbetet gjetja e pronës ku mund të kryhen këto investime.

Për të shmangur këtë problematikë, një nisëm e deputetes socialiste Edona Bilali ka për qëllim që të lejojë të ndërhyhet në “Fondin kullosor” të vendit.

Nisma e depozituar në kuvend, argumenton se ka kërkesa të shtuara për investime në energjinë nga dielli dhe era, ndaj dhe në këto sipërfaqe toke do të jepen në përdorim, për të zhvilluar veprimtari ekonomike dhe jo vetëm nga subjektet private.

Në relacion thuhet se aktivitetet që do të zhvillohen në këto zona, nuk do të pengojnë kullotjen e bagëtive, që është dhe funksioni kryesor i këtyre sipërfaqeve. Nisma mbetet për tu qartësuar se cilat do të jenë zonat, ku lejohet dhe që nuk duhet të preken nga investime të tilla.

Kjo nisëm vjen në një moment kur blegtoria ka shënuar tkurrjen më të madhe brenda sektorit të bujqësisë. Zbrazja e fshatrave, kostot e rritura, konkurrenca nga importi ka bërë që numri i krerëve në vitet e fundit të shënojë një rënie dy shifrore.

Ndërkohë Shqipëria ka mijëra sipërfaqe djerrë, apo toka jo produktive. Në total fondi i kullotave në vendin tonë arrin në rreth 400 mijë ha./vizionplus.tv

Read Entire Article