Kandidatja e vetme për postin e kryetarit të KLP është Mirela Bogdani.
Kjo e fundit, është e vetmja që ka prezantuar platformën e saj deri në këto momente.
Anëtarja e KLP, Nurihan Seiti thotë se pavarësisht se e vlerëson figurën e Bogdanit, do të dëshironte që të kishte konkurrencë.
“Jemi njohur me një kërkesë për mbledhje urgjente për funksionimin më të mirë të KLP duhet të zgjidhet kryetari i ri.
Këshilli duhet të jetë funksional, nuk është hera e parë që kalohet një periudhë kohore ku mbaroi mandati i zotit Ibrahimi dhe zoti Balla mbajti posti e zëvendësit derisa u shpalosën të gjithë platformat.
Më duket se do të ketë një pikëpyetje për këtë mbledhje të Këshillit. E vlerësoj Bogdanin por do të doja që të kishte konkurrencë”, tha Seiti.
Seiti e përmbylli fjalën e saj, duke kërkuar ndjesë për mbledhjen e fundit me tone të ashpra, mes saj dhe kryetarit në detyrë, Tartar Bazaj dhe anëtarit, Sokol Stojani.
Më 27 maj KLP konstatoi përfundimin e mandatit Alfred Ballës, i përjashtuar nga vettingu për 15 vite. Vendimi u mor me 9 vota pro dhe kundër vetëm të anëtares Nurihan Seitaj. Mbledhja e KLP-së u shoqërua me debate të forta.
Më 21 maj, KPA vendosi përjashtimin e tij me 15 vite nga sistemi i drejtësisë, duke rrëzuar një vendim të shkallës së parë. Sipas vendimit të KPA, Balla s’ka të drejtë për t’u emëruar gjyqtar ose prokuror i çdo niveli, anëtar i Këshillit të Lartë Gjyqësor ose i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Inspektor i Lartë i Drejtësisë ose Prokuror i Përgjithshëm, për një periudhë 15-vjeçare./vizionplus.tv