Paskan pritur vendimin e vulës?

3 months ago 21
Reklamë

Nga Artur Ajazi

Alibeaj dhe ndonjë tjetër, nxituan dhe deklaruan se “nuk vijmë në PD e Berishës”. Pra paskan pritur me padurim vendimin e gjykatës për kalimin e vulës nga Basha tek Berisha, dhe “hop” dalin dhe japin deklarata. Por politika nuk është si loja me “kupaca”, kur do luan, dhe kur nuk do, ikën nga loja. Deklarata e Alibeajt dhe Bashës, tregoi se, ata nuk janë as politikanë, as largpamës, dhe as shërbëtorë të votes së atyre që i kanë votuar. Punojnë për interesa krejt personale. Berisha nuk mundet me deklarata  në “fb”, as me deklarata inatçore, edhe pse ish-lideri dhe Belindo, deklaruan se “nuk do të donim ti kishim në parti dyshen “Basha-Alibeaj”. Politika  nuk bëhet me inate personale, dhe nuk mund të japësh vendime definitive nga “fb” për problematika që i takojnë kolegjialitetit të forumeve. Por mendoj se, paskan pritur me padurim vendimin e gjykatës, dhe të dalin me deklarata aspak serioze për dikë që aspiron të ecë dinjitoz në rrugën e politikës.

Pa  stemën e PD-së, dhe vulën e saj, si Basha ashtu edhe Alibeaj, nuk kanë shanse të bëhen as deputetë dhe asgjë tjetër. Por ndoshta ata e dinë se “inati malësorit Berisha”, nuk  ka shanse të kalojë shpejt. Ai  nuk mund të “harrojë” se si mbështetësit e tij u dhunuan nga mbështetësit e Lulit, kur nisi marrja e selisë me “revolucion”. Po ashtu “malësori Berisha” nuk mund të harrojë lehtë strapacimet për vulën dyerve të gjykatave. E pavarsisht këtyre gjërave që janë argumente të rëndomta, largimi  pa kthim i Alibeajt, Bashës dhe ndonjë tjetri nga PD, fill pas marrjes së vulës nga Berisha, tregon sa të “vegjël” janë ata, para një 80 vjeçari sfidues.

Çfarë të ardhme  do të kishte PD-ja, dhe ç’pushtet  do të merrte Basha dhe Alibeaj, duke patur vulën deri dje, kur u tërhoqën pa kthim nga një sfidë kaq e thjeshtë ?  Trembja e tyre, ka skandalizuar edhe demokratin më të thjeshtë të bazës, që ndoshta mendonte se “Berisha mbetet e shkuara, Basha dhe Alibeaj e ardhmja e partisë”. Tërheqja  tregoi  paaftësi, dritëshkurtësi, naivitet, duke i humbur  atyre përfundimisht shansin e vazhdimësisë së politikës pas 2025. Ata kanë humbur besimin e asaj pjese të demokratëve, që ju bashkuan pasi shikonin tek Berisha të shkuarën pa fitore të PD. Edhe sikur të krijojnë që nesër partinë e tyre të re, mendoj dhe besoj se, nuk kanë shanse të marrin as 2-3 mandate deputeti në Parlamentin e ri, të dalë pas zgjedhjeve të reja në 2025.

Zhgënjimi që pësuan ata mijëra mbështetës, pas tërheqjes  nga beteja e dyshes Basha-Alibeaj,  tanimë u kthye në “fitore” të ish-liderit, megjithëse edhe ai, nuk e ka të sigurtë qëndrimin e tij në krye të PD, edhe pas marrjes së vulës. Qëndrimi si “kryetar partie” në fushatën e ardhshme elektorale për zgjedhjet e 2025, rrezikon ta çojë Partinë Demokratike në një humbje spektakolare, pasi ka shumë faktorë kundër. Aktualisht po shihen me kujdes shumë opsione, ku nuk përjashtohet spostimi i Berishës si “kryetar nderi” dhe marrja e partisë nga Argita ose Flamur Noka, deri në mbarim të zgjedhjeve të reja parlamentare.

Read Entire Article