Është dashur të vjerë vetëm pak minuta breshër që i gjithë prodhimi bujqësor në fshatin Xibër – Murrize të Njësisë Administrative Xibër në Bashkinë e Klosit, të dëmtohet i gjithi. Më e prekur ka qenë zona afër Qafës së Murrizit ku afro 30 familje kanë mbetur këtë vit pa prodhime në frutikulturë apo të mbjella të stinës.
Vetë banorët thonë se nuk mbahet mend asnjëherë që në muajin Korrik të bjerë aq shumë breshër. Ata shprehen se nga sasia e madhe e breshërit të rënë pak ditë më parë nuk ka mbetur më asgjë. Të gjitha kulturat bujqësore janë dëmtuar duke nisur nga të mbjellat e deri tek frutikultura.
Banorët kërkojnë mbështetjen e institucioneve shtetëroe që të paktën të dëmshpërblehen për koston e punimeve apo të mbjellave të tjera, pasi nuk do të marrin këtë vit asnjë prodhim pasi gjithçka është dëmtuar nga breshëri shkatërrues.
Anëtari i pleqësisë së fshatit Xibër – Murrize, Musa Beshiri shprehet se të gjitha prodhimet e banorëve janë dëmtuar dhe se institucionet duhet të jenë në mbështetje të tyre. Ai kërkon nga pushteti vendor por edhe Ministria e Bujqësisë që të ndihmojnë banorët të cilët kanë mbetur pa asnjë lloj prodhimi këtë vit.
Për banorët nuk ka më kohë për mbjellje të dyta, ndaj ata shpresojnë që institucionet shtetërore t’i ndihmojnë për këtë fatkeqësi natyrore.