PD e do Berishën nën arrest, jo vetëm si alibi për humbjen më 2025

2 months ago 30

Nga Jakin Marena

Në Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha nuk ka paqe. Sa më shumë që afrohet dita e zgjedhjeve aq më shumë tensionohet situata mes grupeve pa shumë identitet brenda kësaj partie, pasi deri më tani s’ka një konfigurim të qartë se cilët do të jenë në ‘majë të listave’ preferenciale apo të fiksuara në secilin qark, sipas ndryshimeve të arritura në Kodin Zgjedhor.

Berisha e ka lënë vetë ‘pas dore’ këtë proces, duke bërë sikur nuk e ka mendjen, dhe duke tentuar ta përqëndrojë të gjithë strategjinë e PD vetëm në një pikë, atë të kërkesës për lirimin e tij nga arresti shtëpiak. E ‘sponsorizon’ kudo një qëndrim të tillë.

Pavarësisht se e di se nuk vendos as partia, as parlamenti në lidhje me heqjen e masës së arrestit shtëpiak ose jo për të, Berisha sërish kërkon që vartësit e tij në parti të mendojnë nga mëngjesi deri në darkë për të e vetëm për të. Të paktën kështu shpreson. Fundja për këtë arsye e shpartalloi PD-në dhe e mori drejtimin e saj, për ta pasur më pas si një mburojë, sado e keqe të jetë, përballë akuzave të forta të drejtësisë së re.

Dhe nuk është se e ka keq, apo se nuk mendojnë për të. Sidomos pjesa më e madhe e ithtarëve të tij, duke filluar me Flamur Nokën e përfunduar me më të thjeshtin nga ata 40 vetë që e dëgjojnë përnatë poshtë ballkonit të pallatit të tij, ku gjendet nën arrest shtëpiak për korrupsion pasiv. Ata janë treguar besnikë ndaj tij në të gjitha herët, sepse të gjitha të mirat i kanë pasur vetëm prej Berishës, vetëm atë njohin dhe vetëm me atë shpresojnë të bëjnë sërish hajr.

Ndërsa ish mbështetësit e Bashës, ata që e mbrojtën selinë e blinduar të PD buzë Lanës me të gjitha mjetet rrethanore më 8 janar, duke filluar nga Gaz Bardhi e përfunduar te Ervin Salianji, të cilët tashmë janë në mbështetje të fortë për Berishën, janë në ethe të forta paraelektorale.

S’bëhet fjalë se janë të shqetësuar për rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Këtu janë tepër të qetë, pasi janë të bindur 100 përqind se do të realizojnë një humbje të thellë të Berishës dhe të PD përballë socialistëve të udhëhequr nga Edi Rama. Madje disa prej këtyre që kaluan nga Basha tek Berisha kanë të garantuar dhe ‘kokat’ e listave të kandidatëve për deputetë, pasi janë të deleguar nëpër disa qarqe e për pasojë do të jenë në krye të listave të fiksuara, sipas ndryshimeve në Kodin Zgjedhor në masën e 1/3 të listës për çdo qark.

Gjithë shqetësimi i tyre përmblidhet në përpjekjet për përfshirjen në listat e sigurta të kandidatëve për deputetë të grupit të Bardhit, për ta pasur më pas si një ‘grup të gatshëm’ në lojën e aleancave dhe të pazareve, në kurriz të opozitës e partisë më të madhe opozitare për ndonjë përfitim të mundshëm. S’është se nuk ka ndodhur gjatë tërë këtyre viteve një gjë e tillë dhe për këtë Bardhi është në ‘zemër’ të çështjes pasi është ‘nëna’ e këtyre makinacioneve.

Për këtë arsye, Gaz Bardhi ka nisur lojën e presionit ndaj Berishës, gjë që u vu re dhe të seancën e parë të Kuvendit, teksa në emër të grupit parlamentar ai më shumë se sa një fjalim në prag të hapjes së fushatës së zgjedhjeve, ku nuk përjashtohen notat e goditjes ndaj mazhorancës, Bardhi u mundua të garantojë mazhorancën socialiste se ata (PS) nuk janë armiku, dhe për pasojë dhe socialistët nuk duhet t’i shihnin përfaqësuesit e PD si armiq.

Kjo deklaratë ishte kryekëput në kundërshtim me atë çfarë kërkon çdo pasdite në majë të ballkonit Sali Berisha, i cili e cilëson Edi Ramën armik të opozitës, kërkon qeveri teknike, pasi sipas tij me Edi Ramën kryeministër nuk ka zgjedhje. Për më tepër që dhe ‘zgjatimet’ radikale të Berishës, Paloka dhe Noka deklarohen për zgjidhje force përballë mazhorancës së Edi Ramës, ndërsa mediat afër Berishës e ‘kryqëzuan’ Gaz Bardhin për qëndrimin e tij të butë, asfiksues ndaj demokratëve dhe kapitullues përballë socialistëve, gjatë fjalës së tij në Kuvend.

Për hir të së vërtetës Bardhi në Kuvend, në seancën e parë pas pushimeve, dha mesazhet e një kreu grupi parlamentar të një partie sikur sapo ka dalë e mundur thellë në zgjedhje që bën thirrje ndaj mazhorancës së re që të ketë kujdes në trajtimin e kësaj opozite të dobët, pasi nuk janë armiq të tyre dhe nuk shihen si armiq as përfaqësuesit e mazhorancës nga kjo opozitë.

Pra secila ‘palë’ në PD, për hir të së vërtetës operojnë të gjithë nën hijen e rëndë të Berishës së ngujuar në shtëpinë e tij nën arrest shtëpiak, nuk flet për mënyrën se si do operojnë gjatë fushatës zgjedhore, kush do të jetë strategjia e opozitës për zgjedhjet, me kë do të bëhen aleanca tashmë që kanë marrë me vendim gjykate vulën dhe logon e partisë, dhe çfarë alternative do të ofrohet nga kjo pjesë e opozitës për të maksimalizuar votën.

Të gjithë janë të ethe se si do të jenë listat përfundimtare të kandidatëve për deputetë në çdo qark, por dhe se sa e thellë do të jetë humbja në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ku mazhoranca socialiste e drejtuar nga Rama e ka vënë ‘stekën’ shumë lart, për të arritur kalimin e shumicës së cilësuar prej 84 mandatesh, vota këto të nevojshme për miratimin e ligjeve në funksion të procesit të integrimit të Shqipërisë në BE dhe zhvillimit të vendit. Dhe i ka të gjitha mundësitë.

Pikërisht për një mandat deputeti dhe për një alibi të qëndrueshme të humbjes në zgjedhje të PD dhe opozitës, lidershpi i partisë më të madhe opozitare i ka kthyer sytë nga maja e ballkonit ku ‘ligjëron’ përnatë Berisha i cili artikulon akuza ndaj Ramës, qeverisë, drejtësisë së re, partnerëve ndërkombëtarë. Por dhe jep sinjale ndaj zërave brenda PD se dhe nën arrest, është ai që komandon në këtë parti dhe askush nuk e ka të sigurtë karrierën në Kuvend dhe PD, nëse nuk jep prova në mbrojtje të tij dhe të familjes përballë SPAK si ‘non grata’ funksional që është në SHBA dhe Britaninë e Madhe.

Teksa ‘laku’ i drejtësisë po shtrëngohet rreth ‘qafës’ së Berishës, për arsyen e thjeshtë se deri në dhjetor SPAK duhet t’i japë një drejtim akuzave ndaj ish kryeministrit demokrat për korrupsion pasiv në aferën e privatizimit nga familjarët e tij të ish kompleksit sportiv “Partizani”, akuzë në të cilën është ndërthurur sipas informacioneve dhe hetimi i pasurisë së tij dhe familjarëve të tij, por dhe mund të hapet nga momenti në moment hetimi për ‘21 janarin’, duke e marrë atë si të pandehur, duket se gjendja e arrestit në shtëpi e pse jo dhe në qeli, nuk do të jetë e lehtë për t’u hequr nga ana e organeve të drejtësisë.

Janë shumë akuza që rëndojnë në kurrizin e Berishës, dhe duke qënë se ka disa afate në hetimin e tyre, kreun e PD mund ta gjejë dhe prilli apo maji i vitit të ardhshëm, muaji në të cilin do të zhvillohen zgjedhjet parlamentare, nën arrest shtëpiak në rastin më të mirë ose nën arrest në qeli në rastin më të keq. Të paktën kështu duken ‘bathët’, parë dhe nga intensiteti i hetimit nga ana e SPAK dhe numri i dosjeve të rënda në ngarkim të Berishës, të cilat janë hapur e po hetohen.

Dhe Berisha nën arrest shtëpiak, sipas përllogaritjeve brenda lidershipit të kësaj partie, i shërben më mirë PD-së se sa të jetë i lirë dhe jashtë ngujimit në shtëpi. E themi këtë sepse Berisha dhe as PD nuk pretendojnë të fitojnë zgjedhjet parlamentare. E kanë mbyllur këtë ‘shteg’ me kohë dhe vakt për ta ndjekur, pasi sikurse e tregojnë dhe sondazhet serioze në këtë vend, s’ka asnjë shans as që t’i afrohen PS jo më të pretendojnë për fitore. Shtuar këtu faktin se PD praktikisht është e ndarë zyrtarisht në katër pjesë, ndërkohë që dhe aleatët po shfaqen secili më i çmendur se tjetri, teksa kanë marrë malet dhe përrenjtë në çdo cep të vendit, për të freskuar sadopak ‘zjarrminë’ që u ka hipur në kokë, për shkak se kanë ndjerë dhe ata ‘tringëllimën’ e prangave.

Ndërkohë që alibitë e përdorura deri më tani kundër qeverisjes së PS dhe Ramës për të justifikuar humbjen në zgjedhjet parlamentare të radhës janë bërë të pabesueshme dhe për vetë demokratët, jo më për opinionin publik. Janë një përsëritje tepër e lodhshme që bëhet nga ana e Berishës dhe mbështetësve të tij sa herë që humb zgjedhjet. Dhe kjo është treguar gjatë këtyre 33 viteve.

Në kushtet kur ia mori PD-në Bashës nën argumentin se nuk fiton asnjëherë ndërkohë që Berisha pritet të shënojë humbjen e dytë elektorale, pas humbjes së vitit të kaluar në zgjedhjet vendore, justifikimi se ka qënë nën rrest shtëpiak apo dhe në burg, të paktën do të ishte i ‘pranueshëm’ për mbështetësit e tij më të afërt në PD. Pasi me statut kreu i partisë që humb zgjedhjet parlamentare largohet. Berisha e di që nuk fiton kurrë më sa të jetë ai në krye të PD e nuk do të fitojë në fakt. Por ama nuk e lëshon as kreun e kësaj partie. Fundja e ka pronë të veten.

Prandaj Berisha i shërben më shumë alibisë së humbjes së PD dhe të opozitës më mirë nën arrest shtëpiak apo në qeli se sa në liri. Për këtë arsye të gjitha palët në PD janë më shumë se të interesuara që Berisha të mos e ‘shohë dritën e diellit”. Madje më mirë në qeli se sa në shtëpi.

Prandaj ka dhe një thellim të hendekut mes mbështetësve besnikë të Berishës dhe atyre që kanë ardhur te Berisha thjeshtë e vetëm për një copë mandati. Por dhe për të pasur një grup të konsoliduar deputetësh që nesër pas zgjedhjeve të bëjnë presion ndaj Berishës. Pse jo dhe për t’i marrë të drejtën ‘eskluzive’ të marrëveshjeve me kundërshtarët politikë, e pse jo dhe për t’i marrë partinë. Pasi duam s’duam ne, Argita si trashëgimtare në ‘linjë gjaku’ e Berishës në krye të PD, është pa përvojë në politikë, dhe përballë pritet të ketë ‘mjeshtra’ të përfitimit, që as nuk skuqen e as nuk zverdhen sa herë që ‘kalojnë ylberin’. Për ta, Berisha do të ishte më mirë në qeli, dhe për këtë luten ditë e natë. Pasi e kanë shumë të lehtë t’ia marrin partinë në rastin më të parë. Presin ata dhe të ‘plotfuqishmin’ që të zbresë në tokë për të bërë punën e vet. Nuk mërzitën ata.

Read Entire Article