Zbatim i njëanshëm i marrëveshjes? Osmani: Vetëm nëse na anëtarësoni në organizatat ndërkombëtare

2 hours ago 18

Kosova mund ta zbatojë në mënyrë të njëanshme marrëveshjen e Brukselit dhe aneksin e Ohrit, nëse merr garanci nga partnerët ndërkombëtarë se në këmbim do të përfitonte njohje dhe anëtarësim në ogranizatat ndërkombëtare.

Kështu shprehet Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në një prononcim për “Kosova Press”. Megjithatë, ajo thotë se deri më tani nuk ka pasur përgjigje konkrete për diçka të tillë: “Nëqoftëse partnerët ndërkombëtarë janë të interesuar që ne të ulemi me ta dhe zbatimi i marrëveshjeve nga ana e Kosovës të lidhet me përkrahje ndërkombëtare, garancitë e sigurisë, njohje dhe anëtarësim në organizata ndërkombëtare, kjo është një situatë e re. Megjithatë, deri tani nuk ka pasur përgjigje konkrete nga ana e komunitetit ndërkombëtar për një gjë të tillë”.

E para e shtetit tha se nuk mund të kërkohet zbatimi i detyrimeve të dala nga marrëveshja e Brukselit dhe aneksi i Ohrit vetëm për Kosovën, ndërsa Serbia formalisht është tërhequr nga marrëveshja në fjalë. Ajo thekson se pa miratimin e një akti juridik nga ana e Qeverisë së Kosovës lidhur me draft-statutin e Asociacionit të propozuar nga Bashkimi Evropian askush nuk mund ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim: “Para se të dërgohet drafti i statutit në Gjykatën Kushtetuese duhet të miratohet një akt juridik nga ana e Qeverisë. Pra, pa një akt të tillë askush nuk mund ta dërgojë draftin e statutit në Gjykatë Kushtetuese, procedurat janë të qarta, Gjykata e ka sqaruar procedurën. Marrëveshja bazike e cila është arritur në Bruksel dhe ankesi i Ohrit parashohin obligime për të dyja palët. Nuk mund të kërkohet zbatim i detyrimeve vetëm për njërën palë, kurse pala tjetër, pra Serbia, e cila formalisht është tërhequr nga marrëveshja të rri kinse nuk ka asnjë detyrim”.

Osmani ka komentuar edhe projektligjin serb për juridiksion gjyqësor në Kosovë, duke e cilësuar këtë një taktikë të Beogradit për të destabilizuar rajonin. Sipas saj, me tentativa të tilla, shteti serb po tenton të zgjerojë listën e njerëzve të Kosovës që i arreston dhe bllokon në kufi.

“Natyrisht që Serbia nuk ka asnjë juridiksion as gjyqësor dhe as territorial mbi Kosovën që nga viti 1999. Do të thotë edhe ende pa u shpallur Kosova e pavarur në vitin 2008, rezoluta 1244 ia ka marrë çdo lloj juridiksioni në atë kohë (ish) Jugosllavisë dhe fillimisht ka vendosur kompetencat në kuadër të prezencës civile dhe ushtarake nga ‘99-ta deri në vitin 2008 dhe nga viti 2008 e tutje i vetmi shtet që ka juridiksion mbi këtë territor është Republika e Kosovës, gjë që është konfirmuar edhe nga ana e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë. Nëpërmjet ligjeve të tilla tentohet që edhe më shumë të rritet numri i arrestimeve që Serbia i bën në kufi”, tha Osmani, përcjell A2 CNN.

Projektligji për juridiksion gjyqësor serb në Kosovë u miratua në fund të tetorit duke nxitur reagime të forta në Kosovë, por edhe nga ndërkombëtarët.

/a.r

Read Entire Article