PD, partia që “lindi” për të humbur

3 weeks ago 29
Reklamë

Nga Artur Ajazi

Mjafton të bësh bilancin e fushatave dhe rezultateve zgjedhore në 34 vite, për tu bindur se, Partia Demokratike ka “lindur” vetëm për të humbur. Fitoi në 1992 dhe 2005 ? Aspak bindëse argumentet e Berishës, se “ne jemi fotorja, PD-ja është e ardhmja e këtij vendi”. Në 1992 Partia Demokratike fitoi si shkak i mllefit popullor që ishte mbledhur ndaj ish-sistemit komunist. Në 2005, “fitorja” erdhi si pasojë e veprimeve “dorëlëshuese” të Fatos Nanos. Asnjëherë nuk mendohet se në 2005 mund të kishte fituar Berisha, ndërkohë që qeverisja e Nanos ishte akoma në kulmin e vet. Por le të ecim më tej. Nga 2013 deri sot, PD-ja ka humbur jo pak, por nja 7 palë zgjedhje, dhe me rezultate të thella, lokale dhe të përgjithshme. Kontestimet e saj për “vjedhje, blerje dhe shitje votash” kanë rezultuar bllof, pasi janë hapur kutitë e votimit.

Humbjet e PD-së në pothuajse çdo palë zgjedhje, janë shoqëruar me kundërshtitë e paramenduara qysh herët nga lideri saj historik. Si fillim “fajin e kishte Basha”, por edhe kur ai u largua dhunshëm nga PD-ja, rezulton se humbjet në zgjedhje, janë seriali më i keq i asaj partie. E gjendur sot pa emra të rinj, pa afrime dhe pranime të reja, e tkurrur dhe e mbyllur në “kuvli” duke u marrë nga mëngjesi deri në darkë me Edi Ramën, PD-ja e Berishës tashmë me vulë, rrezikon jo vetëm shpërbërjen brënda shtator-tetorit, në 2-3 partiçka të reja,  por dhe një humbje spektakolare në zgjedhjet e 2025.

Ka 12 vjet në opozitë, dhe deri sot nuk kemi parë dhe dëgjuar, nga Berisha dhe stafi i tij i ngushtë, të flitet për rrugën e fitores në zgjedhjet e reja, për programin e asaj partie në rast fitore, për afrimet e reja në parti, për riorganizimin e strukturave, rifreskimin e drejtuesve locale, për anëtarësimet e reja, për lidhjet dhe bashkëpunimin me partitë  simotra në Rajon dhe Europë. Nga kjo PD, nuk po dëgjojmë akoma si do të ndryshojnë pozitivisht marrëdhëniet e saj me faktorin ndërkombëtar, me SHBA-në, me kanceleritë e vendeve të BE-së, pasi pa mbështetjen e tyre, fitorja  e saj duket shumë e largët.

Në rastin më të mirë, në çdo parti djathtiste  në Europë (siç pretendon PD-ja) kryetari i saj, do të kishte bërë hapa pas. Kjo për hir të çështjes, kauzës, dhe të ardhmes së partisë. Por kjo nuk ndodh, dhe as ka gjasa të ndodhë në partinë klanore dhe krahinore të zotit Berisha. Dhe të mendosh se, të mundësh Edi Ramën sot, me ato balance arritjesh dhe suksesesh pozitive në rrafshin politik, ekonomik, apo dhe ndërkombëtar, kësaj PD-je, do ti duheshin 4 kryetarë njëherësh,  dhe nja 12 vite të tjera punë, derë më derë me shqiptarët, për të fituar zgjedhjet. Pa e kuptuar edhe vetë (natyrisht është e kundërta) zoti Berisha e ka shpënë Partinë Demokratike në një tatëpjetë pa kthim. Por më dramatike duket situata brënda saj, tek dëgjojmë ulurimat  nga poshtë ballkonit të atyre që brohorasin fjalimet e liderit.

Një parti politike qysh ditën e parë të krijimit saj, ka si objektiv kryesor natyrisht  pushtetin. Nuk ka forcë apo grupim politik, që të mos e synojë atë, pasi partia nuk është kompani ndërtimi që pastron para. Por ajo që ka ndodhur dhe po ndodh me PD-në, është rast i veçantë, që ha shumë debat, dhe ka nevojë për analiza të thella dhe të mirëmenduara politike. Një parti që humbet gjithmonë zgjedhjet, e ka humbur shansin të garojë si e tillë në zgjedhje elektorale pa kryer brënda saj procesin e “vetëpastrimit”.

Read Entire Article