Fushata raciste dhe seksiste kundër shqiptares, që qëlloi me pistoletë Shën Marinë dhe Jezusin

1 month ago 30

Një politikane e re zvicerane me origjinë nga Bosnja bën një gabim: gjuan me pistoletë ajri një poster të Marisë me Jezusin e vogël dhe poston në Instagram një fotografi të kësaj situate. Pak orë më vonë, e kupton gabimin, e fshin postimin dhe kërkon falje. Por skandali eskalon tek tani – me një fushatë raciste dhe seksiste kundër Sanija Ametit. Brenda pak ditësh, ajo e humb vendin e punës dhe karrierën politike.

Nga Enver Robelli

Kaq shpejt nuk është demontuar askush në skenën politike të Zvicrës, së paku jo në historinë e re të këtij vendi. Kaq ashpër nuk është goditur askush nga personalitetet publike në Zvicër. Kaq papritmas askush nuk e ka humbur vendin e punës. Çfarë ka ndodhur? Për çka bëhet fjalë?

Bëhet fjalë për Sanija Ametin, 32-vjeçare, juriste, doktorante në Institutin e së Drejtës Publike në Universitetin e Bernit, eksperte e relacioneve publike, politikane e Partisë së Gjelbër Liberale (GLP), anëtare e Kuvendit Komunal të Cyrihut. Kjo nuk është e tëra: Sanija Ameti është me origjinë nga Bosnja, rrjedh nga një familje myslimane, ndonëse veten e konsideron ateiste, ajo drejton organizatën joqeveritare Operation Libero, e cila angazhohet për lidhje sa më të ngushta të Zvicrës me Bashkimin Europian, një kërkesë që refuzohet nga një pjesë e madhe e opinionit zviceran, sidomos atij konservator.

Prej vitesh, Sanija Ameti është mjaft aktive në rrjetet sociale. Një gazetë zvicerane e ka përshkruar atë si “mjeshtre të inskenimit”. Me kritikat e saj ndaj oponentëve politikë konservatorë, me betejat kundër racizmit, me provokimet e kalkuluara, Sanija Ameti shpesh ua ka ngritur tensionin e gjakut jo vetëm qarqeve konservatore. Në aversionin kundër Sanija Ametit duket se ka luajtur rol edhe xhelozia – edhe nga disa gra të frustruara në medie, sepse, për dallim prej tyre, Sanija Ameti është e bekuar me pamje atraktive.

Ditë më parë Sanija Ameti bëri një gabim: ajo gjuajti me pistoletë ajri një poster të Marisë me Jezusin e vogël dhe e postoi në Instagram një fotografi të kësaj situate. Pak orë më vonë, ajo e kuptoi gabimin, e fshiu postimin dhe kërkoi falje. Por skandali eskaloi tek tani – me një fushatë raciste dhe seksiste kundër Sanija Ametit. Eksponentë të së djathtës u hodhën në fushatë kundër saj po aq sa edhe kritikët e masave gjatë pandemisë (Sanija Ameti si shumë politikanë zviceranë e ka mbështetur vaksinimin kundër koronës). Edhe gazetarë egërsisht konservatorë dhe liberalë të rrejshëm mezi pritën këtë rast për ta goditur Sanija Ametin. Brenda pak ditësh, ajo e humbi vendin e punës në një zyrë të njohur për marrëdhënie publike, dha dorëheqje nga kryesia e partisë GLP për kantonin e Cyrihut, ndërsa kryesia e partisë në nivel të Zvicrës nisi një procedurë për përjashtimin e saj nga partia. Organizata rinore e partisë populiste SVP e krahasoi Ametin me terroristët islamikë dhe dorëzoi padi kundër saj, një aktivist i së djathtës radikale e quajti Ametin “agjente armiqësore” dhe “pushtuese të huaj”, e cila, sipas tij, duhet të dëbohet nga Zvicra. Organizata e ekstremit të djathtë “Junge Tat” bëri thirrje: “Dëbojeni këtë grua shqiptare”.

Në fushatën kundër Ametit u kyçën edhe ekstremistë të djathtë nga Gjermania e Austria. Kanali televiziv propagandistik rus RT e quajti Ametin “anëtare myslimane të liberalëve të gjelbër”. Në këtë kampanjë u përfshinë edhe Manastiri i Deçanit (me një postim në platformën X), mediumet serbe (edhe ato në veri të Kosovës) si dhe një propagandist francez në shërbim të Qeverisë serbe.

Ndonëse Ameti nuk ka origjinë shqiptare, ajo “u bë shqiptare” nga disa manipulatorë serbë dhe zviceranë për t’u urryer edhe më shumë. Nuk mjafton të jesh vetëm boshnjake, me gjasë. Shkuma e urrejtjes rrjedh më shumë nëse “armikja” mund të portretizohet si shqiptare. Ameti ka një lidhje me Kosovën: i ati i saj, mysliman sllavishtfolës nga rrethina e Prizrenit, ka jetuar në Bosnjë dhe, me shpërthimin e luftës atje, ka mërguar në Zvicër bashkë me familjen e tij. Ameti po ashtu është përkrahëse e shtetit të Kosovës, adhuron jetën kulturore në Prishtinë dhe para zgjedhjeve të fundit parlamentare në Zvicër ajo e nisi fushatën elektorale në aeroportin e Prishtinës, gjë që zgjoi vëmendjen e opinionit publik në Zvicër.

Nuk ka asnjë dyshim se gjesti i Sanija Ametit ishte i pavend, i pamenduar dhe për një grua aq inteligjente, edhe budallallëk. Ajo është dashur ta dijë se ta bësh cak të gjuajtjes një profet (pa marrë parasysh të cilës fe), reagimet mund të jenë të ashpra. Por, a vdiq kush nga të shtënat e saj me pistoletë ajrore ndaj një posteri prej letre? Jo.

Christoph Sigrist ka qenë deri para pak kohësh prift evangjelist në kishën e njohur Grossmünster në Cyrih. Ai është president i Shoqatës së Pakicave të Zvicrës. Sigrist i tha gazetës “Tages Anzeiger” se skandali i Sanija Ametit po instrumentalizohet për të zhvilluar një gjueti shtrigash. Ai i akuzoi mediet për hipokrizi, sepse në përditshmëri ato minimizojnë rëndësinë e kishës dhe të fesë së krishterë, por kur diçka i shërben fushatës së tyre, atëherë kishën dhe fenë e lartësojnë. “Përgjegjësi e medieve do të ishte të shkruajnë kundër kësaj gjuetie shtrigash dhe të ndërtojnë mure mbrojtëse. Dhe jo të shpërndanin përshpejtues zjarri”, tha Sigrist.

Sanija Ameti ka marrë aq shumë kërcënime serioze, saqë ajo prej ditësh gëzon mbrojtje policore. Ndërkohë janë mobilizuar deri-diku mbrojtësit e saj, një peticion kundër fushatës ndaj Ametit e kanë nënshkruar disa personalitete prominente të majta dhe liberale. Sipas gazetës majtiste “Wochenzeitung” (WOZ) zelli mizogjen dhe racist kundër një gruaje të re me prejardhje myslimane dhe mërgimtare flet shumë për shoqërinë zvicerane – dhe nuk flet mirë: “Çfarë i falet mbase shumë shpejt një pjesëtari të shoqërisë shumicë, me gjasë s’mund të mbetet pa u komentuar te dikush si Ameti”. Edhe studimet shkencore tregojnë se një gruaje nuk i falen gabimet siç u falen burrave. Në të kaluarën, politikanë populistë zviceranë janë dënuar për parulla raciste ndaj shqiptarëve, por askush prej tyre nuk e ka humbur as karrierën politike, as vendin e punës. Sanija Ameti brenda pak ditësh i humbi pothuaj të gjitha dhe nuk dihet si do të duket e ardhmja e saj politike dhe profesionale.

Në romanin e tij të famshëm “Nderi i humbur i Katherina Blumit”, shkrimtari nobelist gjerman Heinrich Böll shkruan: “Dhuna e fjalëve nganjëherë mund të jetë më e keqe se ajo e flakareshave dhe revoleve”. Romani i botuar më 1974 përshkruan se si një gazetë gjermane (lehtë kuptohet se bëhet fjalë për të përditshmen bulevardeske “Bild”) ia shkatërron jetën Katherina Blumit, duke e njollosur në mënyrë të paskrupullt, duke e çnderuar dhe duke ia mohuar dinjitetin.

Read Entire Article