Për vitin 2023, bashkitë fituan 4 mln euro nga taksa e hoteleve! Rriten të ardhurat, por vetëm 1/3 e turistëve regjistrohen

3 months ago 8
Reklamë

Afro 4 milionë euro ka përfituar pushteti vendor gjatë vitit të kaluar prej bumit turistik, duke u rritur me 1.1 milionë euro në raport me vitin 2022, kur 61 bashkitë e vendit mblodhën në total nga taksa e fjetjes së hotele vetëm 2.8 milionë euro.

Taksa e fjetjes në hotel që varjon nga 35 lekë deri në 350 lekë, në varësi të vendit të akomodimit dhe bashkisë, përfshihet në faturën që paguan qytetari për dhomën e hotelit, por ekspertët e sektorit pohojnë se në shumicën e rasteve hotelet apo strukturat e tjera nuk presin faturë për dhomën.

Informaliteti në sektorin e turizmit dëshmohet edhe nga shifrat e INSTAT, pasi vjet nga 10.1 milionë turistë që vizituan vendin, vetëm 1.4 milionë jo-rezidentë janë akomoduar në strukturat tona akomoduese, duke ngritur pikëpyetjen se ku fjetën pjesa tjetër. Qëndruan në strukturat akomodusese që ushtrojnë aktivitet të pa-regjistruara apo bizneset nuk deklaruan numrin real të pushuesve që kanë pritur?

E njëjta situatë vijon edhe këtë vit, pasi në tre muaj në vend erdhën 1.5 milionë të huaj, ndërkohë që në strukturat akomoduese kanë fjetur vetëm 172 mijë jo-rezidentë.

Nëse sektori do të ishte i formalizuar, dhe bizneset do të deklaronin numrin real të pushuesve që akomodojnë, dhe netët e tyre të qëndrimit fitimi i bashkive do të ishte shumë më i lartë nga taksa e fjetjes në hotele.

Për të shmangur evazionin Ministria e Turizmit pati paralajmëruar ndryshim të mënyrës se si mblidhet kjo taksë, duke vënë në funksion të një sistemi transparent  ku do të kishte akses jo vetëm bashkia, por edhe policia dhe tatimet. Në këtë mënyrë sistemi do të ishte digjital dhe netët e qëndrimit kontrollohen në kohë reale. Por ende nuk ka ndryshime të bëra publike, për këtë çështje.

TAKSA E FJETJES NË HOTEL

Viti 2022           2,836,864 euro

Viti 2023           3,987,818 euro

Rritja                +1,150,954 euro

TURIZMI NË SHIFRA

Janar-Mars 2024                            1.535.113 të huaj

Turistë të akomoduar                        172.633 të huaj

Të pa-akomoduar                           1,362,480 të huaj

TURIZMI NË SHIFRA

Viti 2023                          10.155.640 të huaj

Turistë të akomoduar       1.409.327 të huaj

Të pa-akomoduar             8.746.313 të huaj

Read Entire Article