Një person ka mbetur i plagosur me armë zjarri në Durrës. Ngjarja ka ndodhur pas një konflikti të çastit në një lokal në lagjen nr. 17.
I plagosur ka mbetur një 70-vjeçar, teksa autori është arrestuar dhe policia sekuestroi në cilësinë e provës materiale armën e zjarrit pistoletë.
“Rreth orës 19.30, në një lokal në lagjen nr. 17, dyshohet se si pasojë e një konflikti të çastit , shtetasi A. H., 31 vjeç, banues në lagjen nr. 17 Durrës, ka plagosur me armë zjarri pistoletë shtetasin F. H, rreth 70 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet në spital nën kujdesin e mjekëve.
Falë reagimit të menjëhershëm të shërbimeve Operacionale dhe Shqiponja kapet në tentativë për t’u larguar dhe shoqërohet në Polici,për veprime të mëtejshme autori i dyshuar i plagosjes.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë shoqëruar dhe një shtetas tjetër, konkretisht shtetasin A.T, 56 vjeç, që ishte bashkë me autorin e dyshuar të ngjarjes në momentin kur ka ndodhur ngjarja“, njofton policia.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet në vendngjarje për sqarimin dhe dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.