Policë të inkriminuar? Përgjigjet Dumani: Kemi bashkëpunim të mirë me Ministrinë e Brendshme

4 months ago 34

Gjatë raportimit të tij në Kuvend, kreu i SPAK, Nuredin Dumani, foli edhe lidhur me rastet e përfshirjes së uniformave blu në krim.

Ai theksoi se SPAK ka vazhdimisht komunikim institucional me instanca shtetërore për të goditur të përfshirët në krim, mes radhëve të uniformave blu.

“Bashkëpunimi me Policinë e Shtetit është konstant dhe shumë i mirë.

Kemi komunikim institucional të përditshëm, punonjës të policisë së shtetit janë të angazhuar në hetimet tona të përditshme sepse hetimet të vetëm nuk i bëjmë dot, përdorim edhe oficerët e policisë gjyqësore të policisë së shtetit që kanë rolin e tyre në hetimin e çështjes”, tha ai.

Dumani nënvizoi se janë rreth 69 punonjës policie që në 3 vite pune të SPAK janë proceduar penalisht dhe të tilla shqetësime janë adresuar pranë Ministrisë së Brendshme.

“Pyetja ka lidhje me një deklaratë time lidhur me një shqetësim timin lidhur numrin e punonjësve të policisë se shtetit të përfshirë në krim ku kam përmendur nja rreth 69 punonjës policie që në 3 vite pune të SPAK janë proceduar penalisht, është shqetësim që jemi përpjekur ta adresojmë te policia e shtetit tek Ministria e Brendshme duke komunikuar e shkëmbyer edhe informacione e të dhëna se si mund të përmirësojnë bashkëpunimin e të shtyjmë më para hetimet tona”, shtoi ai./vizionplus.tv

Read Entire Article