Presidenti Begaj-Ambasadorëve: Qëndroni afër shqiptarëve kudo ku ndodhen! Shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë

2 months ago 37

Presidenti Begaj ka pritur sot drejtuesit e përfaqësive të ambasadave dhe konsullatave shqiptare.

Ai shprehu mirënjohje për punën dhe përkushtimin e palodhur të të gjithë përfaqësuesve në shtete të ndryshme. Gjatë fjalës së tij, presidenti Begaj iu bëri thirrje ambasadorëve të qëndrojnë sa më afër shqiptarëve kudo ku ndodhen.

Begaj u shpreh se objektivi i anëtarësimit në BE mbetet i pandryshuar, si një ndër shtyllat kryesore të politikës së jashtme të Shqipërisë.

Gjithashtu, Begaj theksoi se shqiptarët kanë një zë të fuqishëm dhe rol vendimmarrës, ndërsa shtoi se diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën.

Më lejoni t’ju shpreh kënaqësinë që ndodhem midis jush në këtë takim me të gjithë përfaqësuesit tanë në shtete të tjera e në institucione ndërkombëtare! Kjo pritje është një mundësi e mirë bashkëbisedimi për çështje me rëndësi të diplomacisë dhe politikës së jashtme të Shqipërisë.

Si fillim, dëshiroj të shpreh mirënjohje për punën dhe përkushtimin tuaj të palodhur për të përfaqësuar Shqipërinë me nder e dinjitet!
Falë angazhimit tuaj, ne kemi arritur të forcojmë pozicionin tonë në arenën ndërkombëtare, si dhe të promovojmë interesat kombëtare në mënyrë më efektive. Gjej rastin të falënderoj të gjithë ambasadorët me të cilët kam bashkëpunuar edhe nga afër gjatë vizitave të mia jashtë vendit!

Takimi i sotëm zhvillohet në kuadër të konferencës suaj të ambasadorëve. Me sa jam informuar, punimet kanë qenë të frytshme dhe besoj se keni projektuar një të ardhme në nivel me pritshmëritë jo vetëm të vendit tonë, por edhe të kohës ku jetojmë.

E them këtë, sepse brenda pak vitesh bota ka pësuar ndryshime rrënjësore. Besoj e kemi ende të freskët kujtimin kur globalizimi ishte kryefjalë e ditës. Marrëdhëniet shumëpalëshe, ose multilateralizmi, qëndronin në themel të marrëdhënieve ndërkombëtare. Teknologjia e informacionit e lehtësoi ndjeshëm punën, njerëzit komunikonin më lehtësisht dhe mediat sociale u bënë instrument kryesor për ndërlidhjen e tyre. Investimet më të mëdha ishin kryesisht në teknologji, tregti e sipërmarrje. Bota ishte e ndërlidhur aq natyrshëm, sa diplomacia duhet të rishpikte veten. Ndryshe, diplomatët tradicionalë rrezikonin të ktheheshin në relike. Pakkush e parashikoi ndryshimin që do të pasonte.

Skena botërore, deri dje e bashkuar, sot po përjeton uljen e perdes së harruar të hekurt. Multilateralizimi ka marrë goditje të njëpasnjëshme. Globalizimi është krisur nën trysninë e forcave rajonale. Teknologjia tregoi anën e saj të errët teksa filloi të përdorej edhe për qëllime negative, si përhapja e informacioneve të rreme dhe influencimi i zgjedhjeve demokratike. Për më tepër, çështje të mprehta si pabarazia shoqërore, siguria kibernetike, shpopullimi, ndryshimet klimatike dhe lindja e inteligjencës artificiale e kanë bërë edhe më të ndërlikuar gjetjen e zgjidhjeve.

Agresioni rus kundër Ukrainës ndryshoi gjithçka. Në Evropë u rikthye lufta për herë të parë që prej 1945-ës. Po kështu, në Lindjen e Mesme, pas një periudhe relativisht të qetë, u riaktivizua konflikti Izrael-Hamas, duke rrezikuar seriozisht të zgjerohet.

Ndërkohë, investimet globale në sektorin e sigurisë janë rritur ndjeshëm. (Në vende të zhvilluara evropiane kanë filluar planet për ripërtëritjen e shërbimit të detyrueshëm ushtarak, madje edhe për përgatitjen e popullatës për luftë të mundshme.) Gjeopolitika u kthye në skenë, e bashkë me të edhe roli i pazëvendësueshëm i diplomacisë dhe i diplomatit, sepse lufta bëhet nga ushtarë, por paqja nga diplomatë.

Roli juaj si diplomatë lidhet me ekspertizën tuaj. Në botën moderne ka shumë aktorë që merren me politikë të jashtme, por vetëm ju ushtroni diplomacinë. Përdoreni si duhet këtë epërsi!

Në botën e lulëzimit të lajmeve të rreme apo të realiteteve kryekëput të ndryshme, të marrësh informacione të besueshme, të hartuara nga ekspertë si ju, është një mundësi e artë. Ju jeni ata të cilët kanë mundësinë të lexojnë drejt e të analizojnë thellë situatat. Diplomati profesionist mbështetet te faktet, analiza dhe logjika e ftohtë.

Natyrisht, interpretimi i realiteteve kërkon kapacitete profesionale që shkojnë edhe përtej rutinës së përditshme të profesionit tuaj. Përditësimi i vazhdueshëm i aftësive profesionale është kusht i nevojshëm për një diplomat.

Zhvillimet kryesore teknologjike të kohës sonë, janë një temë tjetër që doja të adresoja. Vitet e fundit kemi dëshmuar digjitalizimin rrënjësor të botës, por ndërveprimi online nuk do ta zëvendësojë kurrë veçorinë që ka marrëdhënia ndërpersonale. Ndaj, është me rëndësi që, krahas ushtrimit të kapaciteteve digjitale, të mos harroni elementin human në kontaktet tuaja.

Sot është sfiduese të bësh diplomatin proaktiv, modern në teknologji, por tradicional në këmbënguljen për realizimin e objektivave strategjike në shërbim të interesit kombëtar.
Rreziku që vjen nga inercia apo letargjia profesionale është real dhe i dëmshëm jo vetëm për ju profesionalisht, por edhe për vendin. Ky është një profesion që kërkon zell, përkushtim dhe, mbi të gjitha, dashuri për profesionin, Shqipërinë dhe shqiptarinë.

Shqipëria nuk është më ajo e 30 vjetëve më parë. Shqipëria gëzon prestigj dhe një vend të merituar në arenën ndërkombëtare. Vendi ynë tregoi pjekurinë gjatë kryesimit të OSBE-së dhe gjatë mandatit në Këshillin e Sigurimit të OKB-së. Bashkëpenëmbajtja me aleatin tonë strategjik, SHBA-në, për Ukrainën për çështjen e paqes dhe sigurisë, ishte kulmimi i maturimit të politikës sonë të jashtme.
Jam i bindur se bazuar në këto arritje diplomacia jonë do të jetë e aftë të ecë me hapin e politikës sonë të jashtme. Ndërtoni mbi sukseset e mëparshme!

Zhvillimet ndërkombëtare janë të shumta e të shumëllojshme, dhe na prekin direkt apo në formë më periferike. Situata e paqes dhe sigurisë rajonale apo globale mbetet fluide, por interesat tona kombëtare, partneritetet strategjike, roli si vend anëtar i NATO-s apo objektivi i anëtarësimit në BE mbeten të pandryshuara, si shtyllat kryesore të politikës sonë të jashtme dhe aksionit tonë diplomatik.

Rajoni i Ballkanit Perëndimor, ku shqiptarët kanë një zë të fuqishëm dhe rol vendimmarrës, mbetet realiteti politiko-ekonomiko-shoqëror, ku diplomacia shqiptare duhet të thotë fjalën e vet me gjithë fuqinë e mundshme dhe me argumentet bindëse për të garantuar të ardhmen Euroatlantike të kësaj pjese të shqiptarisë.

Dëshiroj të theksoj veçanërisht rolin aktiv që duhet të vazhdojë të luajë diplomacia jonë në marrëdhënie me Kosovën. Kosova nuk duhet të mbetet si një talking point e përsëritur, por duhet të jetë pjesë integrale e aksionit tonë diplomatik.
Diplomacia jonë duhet të vijojë mbështetjen pa kushte për Kosovën. Kosova duhet të mbështetet kurdo e kudo, në çdo rrethanë apo situatë. Është detyra jonë të punojmë për anëtarësimin e Kosovës në organizmat ndërkombëtarë e rajonale, si dhe për njohje të reja të saj.

Së fundmi, por jo nga rëndësia, dëshiroj të ndalem në një aspekt tjetër të punës suaj: shërbimet për qytetarët. Qëndroni afër shqiptarëve kudo ku ndodhen! Nuk ka fenomen më të papranueshëm se sa një ambasadë apo konsullatë që nuk është në shërbim të plotë e të përhershëm për qytetarët e vet. Si një popull që tashmë shumicën e ka me banim e punë jashtë vendit, shërbimet tuaja duhet të mbeten gjithnjë të aksesueshme për qytetarët tanë.Të nderuar ambasadorë,

Në mbyllje, dëshiroj të shpreh besimin se vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërinstitucional do të arrijmë sukseset që dëshirojmë.

Pres nga ju rol aktiv në sugjerimin e hapësirave për veprim diplomatik, siç pres edhe një komunikim dhe informim real e të drejtpërdrejtë për zhvillimet në vendet apo rajonet që mbuloni. Unë jam i angazhuar të mbështes punën tuaj dhe të ofroj ndihmën e nevojshme për të përballuar sfidat që kemi përpara.

Shpreh bindjen se edhe në drejtimin e Ministrit Hasani do të vijoni punën me përgjegjësi dhe atdhedashuri për Shqipërinë dhe shqiptarët kudo ndodhen! /vizionplus.tv

Read Entire Article