Pronat e sekuestruara të krimit, Balla: Po përdoren për t’i ardhur në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël

8 months ago 9

Asetet e konfiskuara të krimit të organizuar dhe të korrupsionit po përdoren, edhe për sipërmarrjet sociale dhe për t’i ardhur në ndihmë grupeve dhe komuniteteve vulnerabël. Ministri i Brendshëm Taulant Balla tha se asnjë pronë e krijuar me burim kriminal nuk do të dalë më në shitje, për të shmangur rënien e tyre në dorë të personave që u janë konfiskuar. Ai shtoi se sekuestrimi i këtyre aseteve të pajustifikuara, është dëshmi e funksionimit të drejtësisë së re.

“Sot jemi, do ta quaja si qershi mbi tortë, në një pronë që është sekuestruar me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ndaj një zyrtari të lartë shtetëror, i cili këtë apartament nuk e justifikonte dot me të ardhurat e veta. Ky është një rezultat i prekshëm i reformës në drejtësi dhe një mesazh i qartë kundër gjithë skeptikëve dhe kundërshtarëve të reformës në drejtësi, sepse e vërteta është se sot, në Shqipëri ka dy palë: një palë që mbështet reformën në drejtësi dhe një palë tjetër që është kundër. Ky apartament sot është shembulli më kuptimplotë ndaj gjithë skeptikëve se ja pra, se pasuritë e krijuara për shkak të përfshirjes në grupe kriminale apo për shkak të korrupsionit, po sekuestrohen. Lajmi më i mirë që ne mund të japim është që, e para, ne kemi marrë një vendim, Drejtori është këtu, që asnjë prej pasurive të sekuestruara apo të konfiskuara, nuk do të privatizohet më. Kemi mësuar ne, edhe unë u desh të mësoja nga prokurorët antimafia javën e kaluar në Itali, se nëse do të shkonin për privatizimin e tyre, shanset që ato të rikthehen te ish-poseduesit, janë shumë të mëdha”, nënvizoi Balla.

Në pak javë u plotësua cikli i disa lloj pronash, të cilat janë marrë në administrim nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK).

“Ishim para pak ditësh në një hotel të konfiskuar krimit të organizuar, i cili do të shërbejë si një shtëpi pushimi për punonjësit e Policisë. Keni parë në media faktin që shumë makina të luksoze, të shpejta, të cilat ishin blerë nga krimi, kanë kaluar tashmë në përdorim nga Policia e Shtetit. Sapo kemi kaluar sot një ‘Lamborghini’ më thanë drejtuesit e Agjencisë, për t’i shërbyer Policisë së Shtetit në luftën e saj ndaj krimit”, u shpreh ministri.

Balla nxiti organizatat jofitimprurëse të aplikojnë për projekte që mbështetin të reja e gra, pre e dhunës. Ai tha se një pjesë e pronave të bllokuara do të përdoren për familjet e Dëshmorëve të Policisë, rënë në krye të detyrës.

“Unë i nxis jo vetëm ‘Partners Albania’, dhe këtë e kam bërë me të gjithë shoqatat, OJQ, të vini me projekt-ide, madje mund t’ju jepja sugjerime, p.sh., shumë nga këto apartamente mund të përdoren për strehimin e vajzave, grave, motrave tona, të cilat vuajnë pasojat e dhunës në familje. Jeni të mirëpritur të vini me plot ide, për këtë që për mua mbetet një prej shqetësimeve dhe sfidave të mia kryesore në të gjithë këndvështrimet. Policia e Shtetit e di fare mirë porosinë që ka marrë prej meje si Ministër i Brendshëm, për të pasur një qasje krejtësisht të re për sa i përket dhunës në familje. Duhet të mos kemi më asnjë justifikim. Të mos themi më që, shiko se tradita shqiptare kështu e do, që burri mund t’i bërtasë bashkëshortes, kjo gjë nuk mund të jetë më kështu. Bashkëshortja dhe bashkëshorti janë të dy të barabartë me njëri-tjetrin. Prandaj Policia e Shtetit e di fare mirë që kemi tashmë një protokoll të rri në qasje dhe nuk do t’i thotë Policia e Shtetit siç vepronte dikur që tani shiko se familja është shumë e rëndësishme, se një fjalë më shumë, por ne duhet të kemi gati apartamentet ku gjithkush që nxjerr në pah një rast dhune dhe dhuna është shumë planëshe, ne duhet t’i gjejmë një strehëz të re dhe të filloj një jetë të re dhe madje ta promovojmë dhe të kuptojmë që çlirimi nga gjithë ajo vuajtje është një fitore shumë e madhe, jo vetëm për ty që e denoncon, por për të gjithë ata që e mbajnë fshehur dhe që duhet ta denoncojnë. Kështu që ja një ide e re dhe mendoj që ia vlen. Unë jam duke menduar gjithashtu për një nga shqetësimet më të mëdha që përballem çdo ditë që për mua është një detyrë është qasja që duhet të kemi për familjet e dëshmorëve të Policisë së Shtetit. Ata kanë rënë dëshmorë në kryerjen e detyrës së tyre dhe pjesa më e madhe i ka lënë fëmijët e tyre pa një apartament, pa një shtëpi dhe Agjencia duhet të filloj të mendoj të bëjmë diçka sesi ne mund një pjesë të këtyre apartamenteve t’i vendosim në dispozicion të familjeve të Dëshmorëve të Policisë së Shtetit, të gjithkujt që jep jetën e tij në dobi të interesit të përbashkët. Nga Italia kemi shumë për të mësuar sepse ata kanë një qasje të vjetër dhe të konsoliduar tashmë në këtë qasje dhe shumë faleminderit Libres për bashkëpunimin me ju dhe jam shumë i sigurt se mund të ketë plotë ide të tjera për përdorimin e këtyre pronave”, theksoi kreu i Ministrisë së Brendshme.

“Mesazhi që japim sot është që pronat e sekuestrua nga korrupsioni sot janë vënë në dispozicion të të rinjve, dhe jo vetëm të rinjve të Durrësit, të cilët ta zhvillojnë këtë Qendër sepse e shikoj që është një qendër multi-funksionale. Kështu që në këtë aspekt dua t’i urojë të rinjtë e Durrësit ta gëzojnë këtë shtëpizë të re”, e mbylli fjalën e tij Balla. /vizionplus.tv

Read Entire Article