PS padit KQZ për “Himarën”, kërkon nga Kolegji Zgjedhor të zgjidhë çështjen e afateve

4 months ago 29

E hëna e 15 korrikut për partitë politike do të ishte afati i fundit për të dorëzuar kërkesën për regjistrim në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Ky afat për zgjedhjen e kryebashkiakut të ri të Himarës do të shkelet.

Shkaku është Komisioni Rregullator që nuk miratoi projektvendimin.

Ai u votua kundër nga dy anëtarët e opozitës me pretendimin se dy vendimet ai i heqjes së mandatit të Fredi Belerit nga KQZ dhe dekreti i presidentit për shpalljen e datës së zgjedhjeve janë të pavlefshëm ligjërisht.

Përballë një precedenti të tillë kur “Rregullatori” nuk arrin kuorumin e katër votave dhe për pasojë përgatitjet për procesin zgjedhor ngecin, PS padit KQZ-në në Kolegj Zgjedhor.

Do të jetë kjo trupë gjykuese që do të zgjidhë ngërçin dhe t’i hapë ose jo rrugën partive politike të regjistrojnë veten dhe kandidatët e tyre në garën për të parin e Himarës.

Deri më tani Partia Socialiste dhe ajo Demokratike kanë deklaruar publikisht kandidatët e tyre.

Të dyja forcat politike pritet të shkojnë në zgjedhje me dy minoritarë grekë, Vangjel Tavo nga mazhoranca dhe Petro Gjikuria nga opozita.

Brenda 26 korrikut Kolegji Zgjedhor do të duhet të zhbllokojë situatën pasi politika do të hidhet në fushatë elektorale, atë zyrtare. Ato do të kenë 7 ditë në dispozicion për të bindur elektoratin himariotë se kë të votojë.

Zgjedhjet e fundit, ato të majit të një viti më parë i fitoi opozita. Fredi Beleri mundi socialistin Jorgo Goro me një diferencë prej 19 votash.

Mbetet për tu parë nëse 4 gushti do të jetë një fitore e dytë për opozitën apo Partia Socialiste do të vazhdojë të drejtojë Himarën, që edhe pse humbëse është në krye të punëve të pushtetit vendor për shkak të dënimit me burg të Fredi Belerit./vizionplus.tv

Read Entire Article