Aktit normativ që kufizon dy punësimin e mjekëve, i kanë mbetur edhe pak ditë nga hyrja në fuqi pas miratimit që duhet të marrë në parlament. Pas rreth një jave mjekët duhet ta kenë të qartësuar pozicionin mes publikut dhe privatit.
Relacioni i përgatitur nga Minsitria e Shëndetësisë pas skandalit në spitalin Onkologjik, zbardh se në vendin tonë rezultojnë 823 e struktura private mjekësore, ku 348 janë kabineteve mjekësore, 451 janë klinika dhe qendra mjekësore, 20 spitale me shtretër dhe 4 janë spitale ditore .Kjo situatë sipas ministrisë ka bërë që shërbimi në spitalet publike të cënohet ndjeshëm dhe të neglizhohet duke i dhënë prioritet përfitimeve në privat.
“Ka rezultuar se puna e mjekëve në sektorin publik dhe në sektorin jopublik pa një rregullim ligjor adekuat, ku të mirë përcaktohet koha e ushtrimit të aktivitetit, ka sjellë si pasojë një cilësi më të ulët të kujdesit shëndetësor për pacientët publikë. Ky fenomen shoqërohet edhe me prioritizimin e shërbimeve jopublike, duke dëmtuar imazhin e ofrimit të shërbimit shëndetësor në sektorin publik, pasi, kur mjekët përballen me situata të ngarkuara në të dy sektorët, ata mund të preferojnë të ofrojnë shërbime më të mira e të shpejta në sektorin jopublik.“
Akti normativ ka vendosur që mjekët të punojnë në privat jo më shumë se 30% të orëve mujore që bëjnë në sistemin publik , duke u siguruar që kjo të kryhet pa neglizhuar detyrat e tyre në spitalet publike. Kjo ka sjellë zemërim tek mjekët të cilët e shohin si cënim të lirisë së ushtrimit të profesionit. Ndërkohë Urdhri i Mjekut është ngarkuar që për ata që nuk respektojnë këtë kufizim orari të ngre komisione disiplinore për ndëshkim.
Ligji detyron që për mjeket që do të lënë spitalin publik, të saktësohen të dhënat e pozicionit dhe emrit të spitalit në një regjistër elektronik me qëllim parandalimin e trafikimit të pacientëve nga publiku në privat. Ndërkohë shefat e shërbimeve dhe ata me poste drejtuese në spitale duhet të heqin dorë nga drejtimi i klinikave të tyre private.
Për çdo shkelje sanksionet vardojnë nga gjobë deri në 10 milion lekë si dhe heqje license të ushtrimit të profesionit deri në 5 vjet.
/a.r