Qeveria britanike ka publikuar udhëzime për drejtorët për ndalimin e telefonave celularë dhe kjo për të minimizuar ndërprerjen dhe për të përmirësuar sjelljen në klasa.
Përdorimi i pajisjeve do të ndalohet gjithashtu gjatë pushimeve ose vakteve dhe mësuesit do të kenë fuqinë të kontrollojnë edhe çantat e nxënësve për pajisjet e ndaluara.
Shkelësit do të ndëshkohen me të ashtuquajturin ”paraburgim të vetmuar” – një metodë shumë e zakonshme në shkollat britanike – dhe konfiskim të telefonave celularë.
Shkollat do të kenë katër opsione për zbatimin e ndalimit.
Më radikalja përfshin një ndalim absolut të sjelljes së telefonave në shkollë, të cilët do të lihen në shtëpi.
Një hipotezë tjetër është se ato i dorëzohen stafit të shkollës në hyrje ose mbyllen në dollapë.
Zgjidhja më liberale është që nxënësit të mbajnë telefonat me vete, por ata nuk duhet as të përdoren, as të shihen, as të dëgjohen dhe për këtë arsye të lihen të fikur në çantë.
Ministrja e Arsimit, Gillian Keegan tha se udhëzimet e reja do t’u japin mësuesve mjetet për të vepruar, sepse shkollat janë vende për të mësuar dhe telefonat celularë janë, të paktën, një shpërqendrim i padëshiruar.
Qeveria do t’u sigurojë shkollave mbrojtje ligjore në rast të ankesave nga prindërit, të cilët mund të ankohen për konfiskimin e telefonave.