Real Madridi pritet që të ‘blindojë’ me kontrata të reja dy lojtar që ishin shumë të rëndësishëm në triumfin e tyre në La Liga dhe Ligën e Kampionëve sezonin e kaluar.
Bëhet fjalë për dyshen Dani Carvajal dhe Ferland Mendy që kanë vetëm edhe një vit të mbetur në kontratat e tyre aktuale.
Spanjolli do të marr një ofertë rinovimi një vjeçare për shkak të politikës së klubit për vazhdimin e kontratave vetëm për një sezon për lojtarët që janë mbi moshën 30-vjeçare.
32-vjeçari është i kënaqur me kushtet e ofruara, por ‘Los Blancos’ beson se ai ka edhe më shumë për të ofruar andaj ka pasur sugjerime se kontrata mund të rinovohet për më shumë vite.
Situata e Mendy në anën tjetër është krejtësisht ndryshe sipas Diario AS. Fakti që Alphonso Davies pritet të transferohet verën e ardhshme, do të ketë ndikim në kontratën e tij të re.
Në moshën 29-vjeçare, Mendy mund të rinovojë pa problem për disa vite, por në mesin e raportimeve se ai ka pranuar rinovimin, jetëgjatësia e saj ka mbetur ende një temë diskutimi mes palëve.
Mendy në të kaluarën kishte refuzuar një ofertë nga Arabia Saudite dhe pas dyshimeve për të ardhmen e tij verën e kaluar, ai tani cilësohet si një lojtar shumë i rëndësishëm për Carlo Ancelottin.
Tekniku italian beson se francezi është çelësi, sidoqoftë Mendy e di se Davies do të arrijë verën e ardhshme dhe mund të kërkoj rrugën e largimit.