Myslimanë nga e gjithë bota, u mblodhën këtë të shtunë në zonën e shenjtë të Arafatit në Arabinë Saudite për të përmbyllur pelegrinazhin e Haxhit, i cili i paraprin festës së Kurban Bajramit.
Rituali në malin Arafat, i njohur si vendi i mëshirës, konsiderohet kulmi i pelegrinazhit pesë ditor të Haxhit, i cili nis nga xhamia e madhe e Mekës rreth 20 kilometra larg.
Besimtarët mbërrijnë në malin Arafat me lutje për mëshirë, bekime, begati dhe shëndet të mirë.
Autoritetet saudite kanë parashikuar që numri i pelegrinëve të arrijë në mbi 2 milionë, duke kapur shifrat e periudhës përpara pandemisë.
Këtë vit, Haxhi zhvillohet në sfondin e luftës së përgjakshme në Rripin e Gazës midis Izraelit dhe Hamasit.
Palestinezët në rripin e Gazës nuk ishin në gjendje të udhëtonin në Mekë për Haxh për shkak të mbylljes së kalimit Rafah në maj, kur Izraeli shtriu ofensivën e tij tokësore deri në kufirin me egjiptin.
Të gjithë besimtarëve myslimanë u kërkohet të bëjnë Haxhin të paktën një herë në jetën e tyre nëse janë fizikisht dhe financiarisht të aftë për ta kryer atë./vizionplus.tv