Sa i rrezikshëm është përdorimi i kufjeve për fëmijët, si shprehen ekspertët

8 months ago 20

Në një sondazh kombëtar të kryer në SHBA, dy nga tre prindër thanë se fëmijët e tyre të moshës së shkollës fillore ose të mesme përdorin pajisje audio dhe është gjithnjë e më e zakonshme të përdorin kufje . Megjithatë, kjo paraqet rreziqe të konsiderueshme për shëndetin e fëmijëve, siç paralajmërojnë ekspertët.

Sipas sondazhit të Spitalit të Fëmijëve CSMott të Universitetit të Miçiganit në SHBA, dy në tre prindër thonë se fëmija i tyre ndërmjet moshës 5-12 vjeç përdor pajisje personale audio. Ndër prindërit që raportuan se fëmijët e tyre përdorin kufje, gjysma thanë se fëmijët e tyre shpenzojnë të paktën një orë në ditë duke i përdorur ato, ndërsa një në gjashtë tha se një ditë e zakonshme për fëmijën e tyre përfshin të paktën dy orë përdorim.

Fëmijët kanë më shumë gjasa t’i përdorin këto pajisje në shtëpi, në shkollë dhe në makinë, ndërsa më pak se 10% e prindërve thonë se fëmijët e tyre i përdorin ato në autobus, jashtë ose në shtrat. Gjysma e prindërve raportojnë se kufjet ndihmojnë fëmijën e tyre të argëtohet.

Sipas sondazhit, më shumë prindër të 9-12-vjeçarëve sesa 5-8-vjeçarëve raportojnë se fëmija i tyre përdor kufje, ndërkohë që përdorimi i përditshëm kishte më shumë gjasa të ishte më i lartë në grupmoshën më të madhe.

Megjithatë, ekspozimi për një kohë të gjatë ose ekstreme ndaj niveleve të larta të zhurmës, theksojnë ekspertët, mund të çojë në probleme shëndetësore afatgjata, duke përfshirë humbjen e dëgjimit ose zhurma në vesh. Gjithashtu, ekspozimi ndaj zhurmës mund të ndikojë në gjumin e fëmijëve, mësimin, gjuhën, nivelin e stresit dhe madje edhe presionin e gjakut.

Vetëm gjysma e prindërve të anketuar thanë se janë përpjekur të kufizojnë përdorimin e pajisjeve audio nga fëmija i tyre. Prindërit, fëmija i të cilëve përdor kufje për më shumë se dy orë në ditë, kanë gjithashtu më pak gjasa të vendosin kufizime kohore ose volumit krahasuar me prindërit që raportojnë se fëmija i tyre përdor më pak kufje.

Ekspertët tregojnë katër këshilla për të reduktuar rreziqet e ekspozimit të fëmijëve ndaj zhurmës nëpërmjet kufjeve:

– Prindërit duhet të monitorojnë dhe rregullojnë volumin dhe kohën e përdorimit të pajisjeve nga fëmija duke ndjekur rregullin 60/60, pra fëmijët të kufizohen deri në 60 minuta përdorim të pajisjes audio në ditë me një volum jo më të madh se 60% të volumit maksimal.

– Prindërit duhet t’u blejnë fëmijëve kufje që ndalojnë zhurmën ose kufizojnë volumin

– Prindërit duhet t’i ndihmojnë fëmijët të bëjnë pushim nga pajisjet personale të dëgjimit

– Prindërit duhet të jenë vigjilentë për shenjat e hershme të humbjes së dëgjimit për shkak të përdorimit të pajisjeve audio dhe t’i referohen një pediatri, otolaringologu ose audiolog./vizionplus.tv/

Read Entire Article