Samiti për Ukrainën në Tiranë, ardhja e Zelensky në varësi të zhvillimeve të luftës

8 months ago 21

Të mërkurën në Tiranë do të mbahet samiti i parë Ukrainë –Evropa Juglinore. I pranishëm në tryezën e diskutimeve në pallatin e kongreseve do të jetë fizikisht edhe presidenti i Ukrainës Volodymyr Zelensky.

Lufta e paligjshme ruse në Ukrainë, pasojat dhe plani i rritjes ekonomike për Ballkanin Perëndimor janë dy çështjet për diskutim.

Në tryezën e përbashkët përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor do të jenë edhe përfaqësues nga vende anëtare të Bashkimit Evropian si Italia dhe Greqia.

Po aq në bisedimet për paketën financiare të dhënë nga komisioni evropian për gjashtëshen ballkanike si mbështetje në rrugën paraanëtarësuse do të jetë edhe komisioneri për zgjerimin në BE, Oliver Varhelyi.

Për shkak të zhvillimeve në Ukrainë, mbetet ende e papërcaktuar nëse vizita e parë në Tiranë e Volodymyr Zelensky do të nisë të martën e 27 shkurtit, për tu pritur nga kryeministri Edi Rama.

Pak ditë më parë në një mesazh në platformën “X” kreu i shtetit të Ukrainës vlerësoi mbështetjen e Shqipërisë ndaj Ukrainës dhe shprehu padurimin për një të ardhme më të sigurt për gjithë Evropën.

Edhe pse në agjendën paraprake ishte parashikuar një takim me presidentin Bajram Begaj dhe kryeparlamentaren Lindita Nikolla ato janë anuluar.

Ngjarjet në Ukrainë  dhe elementët e sigurisë do të përcaktojnë edhe agjendën e Volodymyr Zelenskyt në Tiranë, ku ajo që dihet me siguri është pjesëmarrja në samitin e 28 shkurtit. /vizionplus.tv

Read Entire Article