Në ditën e startit të Kampionatit europian në Gjermani, rritet alarmi për sigurinë. Në vëmendje, mbi të gjitha, është përplasja Serbi-Angli, ndeshja debutuese e kombëtares së Tre Luanëve në Euro 2024 që do të luhet nesër në orën 21:00, për të cilën policia vendase e vlerëson si ndeshjen me rrezikshmërinë më të lartë të incidenteve në të gjithë turneun. Alarmi ka të bëjë veçanërisht me ardhjen e frikshme të rreth 500 huliganëve serbë që kërkojnë dhunë, siç konstatohet nga raporti i policisë gjermane.
Sipas policisë vendase, janë konstatuar se ultrasit serbë mund të jenë në zotërim të mjeteve të mundshme luftarake. Për të përballuar këtë rrezik potencial, autoritetet lokale kanë forcuar ndjeshëm mbikëqyrjen. Ata kanë njoftuar vendosjen e 1300 oficerëve më shumë, në krahasim me ndeshjet e tjera, në Euro 2024.
Ndër ultrasit më të frikshëm europianë janë dy grupe të organizuara mbështetëse të dy klubeve të mëdha të Beogradit, Partizanit dhe Crvena Zvezda: përkatësisht të quajtur Grobari (që do të thotë Varrmihësit) dhe Delije (që do të thotë Heronjtë). Nuk është hera e parë që ultrasit serbë sjellin pështjellime në ndeshje ndërkombëtare, por këtë herë rreziku është i madh nga kundërpërgjigja që mund të ndodhë nga ultrasit anglezë, që ishin pikërisht ato që i dhanë kuptimin e sotëm termit huliganë.
/a.r