Sërish rekurs pa u mbyllur Apeli: Beleri hap tjetër “front” në Gjykatën e Lartë

3 months ago 28
Reklamë

Teksa Gjykata e Apelit të Posaçëm është tërhequr në dhomë këshillimi për të marrë një vendim përfundimtar ndaj ankimit të Alfred Belerit, kryebashkiaku i zgjedhur i Himarës e së fundmi edhe europarlamentar grek, ka hapur një tjetër betejë në Gjykatën e Lartë.

Kjo gjykatë ka regjistruar rekursin e Belerit kundër një vendimi të SPAK për të mos hetuar një kallëzim të bërë prej tij.

Fredi Belerit i është drejtuar Gjykatës së Lartë me rekurs, ku kërkon shfuqizimin e vendimit të Prokurorisë së Vlorës që regjistroi procedimin penal për të.

Beleri pretendon në rekurs falsifikimin e dy akteve që ndodheshin në dosjen hetimore ndaj tij, dëshminë e penalitetit dhe regjistrin e procedimeve penale të Prokurorisë së Vlorës. Bëhet fjalë për vendimin e 3 gushtit 2023 të SPAK për “mosfillim procedimi penal”, për kallëzimin e bërë nga Beleri për “falsifikim” dhe “shpërdorim të detyrës”.

Vendimmarrjen e SPAK për të mos nisur hetim penal, Beleri e kundërshtoi fillimisht në Gjykatën e Posaçme e në Apel dhe së fundmi në Gjykatën e Lartë.

Më 14 qershor, pas një seance që zgjati gati 4 orë Gjykata e Apelit të Posaçëm deklaroi të mbyllur shqyrtimin gjyqësor dhe vendosi të shpallë vendimin për çështjen e Fredi Belerit në datë 25 qershor ora 13:00.

Rekursi i Belerit vjen disa ditë para se Gjykata e Apelit të Posaçëm të shpallë vendimin për çështjen e tij.

Në shkallën e tretë të gjyqësorit Beleri kërkon shfuqizimin e vendimit të SPAK, urdhërimin e regjistrimit te procedimit penal dhe kryerjen e veprimeve hetimore përkatëse. Provat e falsifikuara në dosje dhe ato të pavlefshme ligjërisht u pretenduan nga Beleri edhe në seancën e së enjtes në Apelin e Posaçëm, ku kundërshtoi dënimin e Shkallës së Parë me 2 vjet burg për akuzën e “korrupsionit në zgjedhje”.

Vendimi përfundimtar në Apel, që do të vendosë edhe për “fatin” e Belerit për pasur mundësi apo jo të marrë detyrën e kryebashkiakut të Himarës, do të shpallet me 25 qershor.

Më 5 mars GJKKO vendosi dënimin me 2 vite burg të Fredi Belerit nën akuzën e blerjes së votave, ndërsa bashkëpunëtori i tij Pandeli Kokaveshi  është dënuar me 1 vit e 6 muaj duke iu konvertuar në 3 vite shërbim prove./m.j

Read Entire Article