SHBA-ja dhe Seuli në ushtrime të përbashkëta, Koreja e Veriut teston dronët

2 months ago 26

Lideri i Koresë së Veriut, Kim Jong Un, mbikëqyri një demonstrim të dronëve të rinj shpërthyes të dizajnuar për të goditur objektiva, njoftoi media shtetërore të hënën, ndërsa SHBA-ja dhe Koreja e Jugut janë duke kryer stërvitje të përbashkëta ushtarake.

Fotografitë e testimit nga Koreja e Veriut shfaqën një dron të bardhë në formë të shkronjës ‘X’ që supozohet se po godiste dhe shkatërronte një objektiv që ngjasonte me tankun kryesor të Koresë së Jugut, K-2.

Shumica e dronëve luftarakë qëndrojnë larg objektivave dhe lëshojnë raketa.

Agjencia Qendrore e Lajmeve e Koresë së Veriut (KCNA) tha se testimi i së shtunës përfshinte lloje të ndryshme të dronëve të ndërtuar për të fluturuar në distanca të ndryshme për të sulmuar objektivat e armikut në tokë dhe det, duke fluturuar përgjatë rrugëve të ndryshme para se të godisnin saktësisht objektivat, raporton AP.

Pas testimit, Kim u zotua të përshpejtojë zhvillimin e dronëve që shpërthejnë kur përplasen, kryejnë zbulime ose sulmojnë objektiva nën ujë për të përmirësuar gatishmërinë luftarake të vendit të tij, duke thënë se ushtria e Koresë së Veriut duhet të pajiset me dronë të avancuar “sa më herët që të jetë e mundur”, raportoi media shtetërore.

Testimi i dronëve u bë në kohën që ushtria e SHBA-së dhe ajo e Koresë së Jugut po kryejnë një stërvitje masive, e cila do të vazhdojë deri të enjten.

Stërvitjet përqendrohen në përmirësimin e gatishmërisë kundër kërcënimeve nga Koreja e Veriut dhe përfshijnë simulime kompjuterike të luftës dhe trajnim me armë zjarri, me një stërvitje të përbashkët ajrore që përfshin 60 avionë luftarakë.

Forcat ajrore të Koresë së Jugut thanë se stërvitja, e cila filloi me demonstrime të bombardimeve precize që përfshinin avionët luftarakë F-35 dhe F-16 të Koresë së Jugut, ka për qëllim përballimin e kërcënimeve nga dronët, raketat lundruese dhe nga artileria e Koresë së Veriut.

Zëdhënësi i Shefave të Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut, Lee Chang Hyun, tha se ushtria e Koresë së Jugut po shqyrtonte me kujdes aftësitë e dronëve të Koresë së Veriut dhe se ushtria e Koresë së Jugut është e pajisur me sisteme për t’i zbuluar dhe kapur ato, pa dhënë detaje të mëtejshme.

Disa analistë sugjerojnë se dronët e Koresë së Veriut të treguar në fotografitë e medias shtetërore ngjajnë me dronët Zala Lancet-3 të Rusisë, dhe Lee tha se Koreja e Jugu po shqyrtonte mundësinë që Rusia të ketë ndihmuar Korenë e Veriut të aftësohet në fushën e dronëve./rel

Read Entire Article