Një zjarr ka rënë mbrëmjen e djeshme në lagjen “Uznovë” në qytetin e Beratit.
Zjarri ra në katin e dytë të banesës dy katëshe, në pronësi të shtetasit Sejdin Likollari.
8 personat e kësaj familjeje që jetonin në këtë banesë, ndodhenin në katin e parë kur kanë pikasur tymin dhe zjarrin, që ra në katin e dytë të shtëpisë.
Ata kanë njoftuar menjëherë zjarrëfikësit, ndërkohë që janë përpjekur edhe vetë të shuajnë flakët.
Në vendngjarje kanë mbërritur menjëherë efektivët zjarrëfikës, që në një kohë të shkurtër kanë bërë të mundur lokalizimin e shpejtë të flakëve dhe fikjen e zjarrit.
Si pasojë e zjarrit është shkrumbuar totalisht kati i dytë i banesës, ku jetonte djali i Sejdinit, me bashkëshorten dhe fëmijët.
Ndërkohë që dëmet materiale të shkaktuara në banesë janë të mëdha, burimet zjarrëfikëse në vendngjarje dyshojnë se zjarri mund të jetë shkaktuar nga një shkëndijë elektrike.
Sejdin Likollari deklaron se zjarri mori përmasa të mëdha menjëherë dhe ishte e pamundur ta fiknin, edhe pse u përpoqën vetë me zorra e kova me ujë.
Ai pohon se dëmet janë të mëdha dhe se djali me familjen e tij tashmë ndodhet në qiell të hapur./vizionplus.tv